Kupa e Shqipërisë vijon garën, teksa të mërkurën më datë 6 dhjetor do të zhvillohen ndeshjet e fazës së 1/16-ave. Gjithsej do të luhen tetë takime dhe të gjitha ndeshjet do të nisin në orën 13:00.
Në këtë fazë të Kupës ka disa duele interesante, ku garojnë vetëm dy nga ekipet e “Abissnet Superiore”, Skënderbeu dhe Dinamo. Korçarët përballen me skuadrën e Turbinës, ndërsa blutë me Orikun.
Në takimet e tjera të kësaj faze luhen duele të forta edhe nga Kategoria e Parë, si Bylisi-Vora, Kastrioti-AF Elbasani, Flamurtari-Burreli, Tomori-Lushnja, Korabi-Besa dhe Apolonia-Luzi 2008. Të gjitha takimet janë shumë të rëndësishme, pasi ekipet që kalojnë në turin e 1/8-ave përcaktohen me vetëm një ndeshje, raporton Supersport.
Në fazën e 1/8-ave do të garojnë edhe ekipet e “Abissnet Superiore” për sezonin 2022-2023 të renditura nga vendi i parë e deri në vendin e tetë (Partizani, Tirana, Egnatia, Vllaznia, Laçi, Teuta, Kukësi dhe Erzeni), ndërsa edhe në këtë fazë ekipet që do të kalojnë më tej përcaktohen me vetëm një ndeshje. Vetëm takimet e fazave çerekfinale (1/4) dhe gjysmëfinale (1/2) do të jenë me 2 takime.
Top Channel