Familjarët e Liridona Ademajt kanë hapur dyert e mortit në fshatin Rracaj të Gjakovës, ndërsa 30-vjeçarja e vrarë më 29 nëntor në Prishtinë u rivarros në vendlindje.

Ajo u zhvarros nga varrezat e fshatit Cërmjan të Gjakovës, me kërkesë të familjes. Qindra qytetarë tashmë kanë shkuar për të ngushëlluar familjen Ademaj.

Pjesë e ceremonisë së varrimit të Liridona Ademajt është bërë edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Dhjetëra persona morën pjesë në ceremoninë mortore të nënës që la pas dy fëmijë të vegjël.

Një grup fëmijësh ishin të veshur me bluza të bardha të stampuara para me foton e Liridonës dhe mbrapa me shkrimin “Drejtësi për Liridonën”, ndërsa mbanin në duar trëndafila të bardhë.

Liridona Ademaj dhe Naim Murseli

Kujtojmë se 30-vjeçarja u vra më 29 nëntor në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë në një komplot të organizuar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Deri më tani janë arrestuar tre të dyshuar, mes tyre edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Naim Murseli, bashkëshorti i Liridona Ademajt, i dyshuar si organizator i vrasjes, vrasësi Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i FSK-së dolën një ditë më parë para Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila vendosi nga një muaj paraburgim për secilin prej tyre.

Janë ende të paqarta arsyet e vrasjes së Liridona Ademajt, ndërsa hetimet vijojnë ende.

Vëllai i i Liridona Ademaj në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel tha se dy fëmijët e saj po qëndrojnë me prindërit e Murselit dhe ende nuk e kanë mësuar lajmin e hidhur.

FOTO GALERI
4/12

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA