Shkollat do të pastrohen nga mësuesit e punonjësit e tjerë të sistemit arsimor që janë të dënuar me vendim të formës së prerë për 83 vepra penale.
Në sitë do të kalojnë edhe emërimet e reja në shkolla, ku për ta do të kryhet një kontroll ligjor i hollësishëm.
Vjedhje, vrasje për gjakmarrje, korrupsion aktiv apo pasiv, falsifikim dokumentash, etj. janë disa nga veprat që për natyrën që kanë të ndalojnë të punosh në arsim, sipas udhëzimit më të fundit të Ministrisë së Arsimit.
Në veprat e përfshira që nuk lejojnë punësimin në sistemin arsimor janë edhe pjesëmarrja në veprime masive të dhunshme, si vendosja e pengesave apo barrikadave për të ndaluar forcat e rendit, rezistenca me armë apo çarmatosja e tyre, pushtimi me forcë i ndërtesave, përmbysja e rendit kushtetues.
Ndryshimet ligjore të bëra në qershor që ndalojnë punësimin në institucione arsimore të pedofilëve të dënuar për krime seksuale ndaj të miturve, nuk janë të vetmet masa që po merren për të rritur besimin e shqiptarëve te sistemi arsimor. Pavarësisht rehabilitimit apo jo, arsimtarët e dënuar do e kenë derën e shkollave të mbyllur gjithmonë. Grumbullimi i të dhënave ka nisur, e më pas do të vijohet me ndërprerjen e marrëdhënies së punës për ata që janë aktualisht pjesë e sistemit, e për ata që janë në konkurs nëse kanë një njollë ligjore të këtyre 83 veprave penale që sipas vendimit diskretiton figurën e mësuesit nuk do të pranohen në punë.
Top Channel