Edhe pse temperaturat kanë ardhur në rritje, shirat e dendur kanë sjellë probleme në disa prej akseve rrugore.

Kështu rënie gurësh dhe inertesh ka pasur në  rrugët Burrel – Skuraj, Bulqizë – Urë e Cernecit apo në Klos-Qafë Buall, por ARRSH shprehet se është ndërhyrë për përmirësimin e situatës dhe qarkullimin normal. Elbasan – Qafë Thanë dhe Berat – Çorovodë ka pasur gjithashtu rrëshqitje inertesh, por qarkullimi në to nuk është i bllokuar.

Ka një përmirësim të kushteve atmosferike në qarkun e Shkodrës. Në aksin Hani i Hotit-Tamare vazhdojnë reshjet e shiut. Në akset Bogë-Theth dhe Tamare-Vermosh gjatë natës ka patur reshje shiu por në orët e para të mëngjesit të sotëm janë kthyer në reshje bore.

Në terren po punohet me borëpastruese dhe me hedhjen e kripës për të mundësuar qarkullimin normal. Ndërkohë në bashkitë e tjera nuk raportohen probleme nga dëbora. Në Kelmend, vijojnë ndërprerjet e energjisë elektrike. Ndërsa në Bulqizë, reshje të dendura të shiut kanë bërë që të bllokohet rruga që lidh Lagjen e vjetër me Lagjen e Re, si dhe janë dëmtuar disa makina.

Shkak i bllokimit të rrugës kanë qenë prurjet e mëdha të përrenjve që shkarkojnë në kanalin kryesor si dhe bllokim i pusetave për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Ndërkohë për shkak të reshjeve në rrugën e Arbrit ka patur edhe rrëshqitje të gurëve në rrugë duke rrezikuar drejtuesit e automjeteve.

Policia bën thirrje për drejtuesit e mjeteve për vendosjen e gomave dimërore, por edhe të zinxhirëve në qarkullimin e akseve me prani dëbore e ngricash.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel