Fiks Fare/ “Sakrifica” e shtetarëve! Udhëtime “pune” në Dubai, Sidni, Meksiko Siti, Uashington, Barcelonë, Paris, për Festat e Nëntorit

29/11/2023 20:40

Në datën 22 nëntor 2023, Këshilli i Ministrave mori këtë vendim: Caktimin e ditës se hënë, datë 27.11.2023, dite pushimi për punonjësit e administratës shtetërore. Dita e punës, e datës 27 nëntor, do të zëvendësohet në një nga ditët e pushimit brenda tremujorit te parë të vitit pasardhës.

Për pasojë, rreth 200 mijë punonjës të Administratës Shtetërore, kishin plot 5 ditë pushim, në datat 25, 26, 27, 28 dhe 29 nëntor 2023. Ata do të kthehen në punë në datat 30 nëntor dhe 1 dhjetor, për të pushuar sërish dy ditë. Por, jo të gjithë këta punonjës pushuan!

Qindra punonjës shtetërorë “sakrifikuan” këto ditë pushimi të caktuara nga qeveria. Ata udhëtuan në të gjithë botën për “punë”; Në Amerikë, Meksikë, Australi, Emiratet e Bashkuara Arabe apo në vendet europiane. Në vende të ftohta, ngrohta apo edhe ekzotike.

“Fiks Fare” bëri një vëzhgim në Agjencinë e Prokurimit Publik, ku pothuajse të gjitha institucionet qendrore, ministri, drejtori, agjenci por edhe bashkitë, kanë bërë tendera për udhëtimet e punonjësve. Në një kohë që kolegët e tyre po pushonin, qindra punonjës udhëtuan në gjithë botën, duke kërkuar edhe bagazhe deri në 25 kilogramë. Udhëtuan për ditën e Pavarësisë, të Çlirimit, por edhe të shtunë dhe të diel.

– Tender ka bërë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Ka kërkuar 6 bileta për në Vjenë, Austri. Nisja në datën 29 nëntor, ditë pushimi zyrtar në Shqipëri dhe kthimi në datën 1 dhjetor. Bagazhi 20 kilogramë dhe fluturim direkt.

– Lista vijon me tenderin e Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, e cila kërkon 1 bileta me destinacion Tiranë – Dubai – Tiranë. Nisja në datën 30 nëntor dhe kthimi në 5 dhjetor. Sërish në punë të shtunë dhe të diel.

– Ministria e Kulturës ka hapur një tender për udhëtime në Napoli dhe Romë në Itali. Nisjet janë planifikuar në ditë pushimi, 29 nëntor dhe kthimet në datën 30 nëntor. U kërkuan 3 bileta dhe bagazhet e plota të përfshira.

– Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike ka kërkuar 2 bileta udhëtimi për në Talin, Estoni. Nisja në datën 29 nëntor dhe kthimi në datë 2 dhjetor, ditë e shtunë. Të përfshihej bagazh 20 kilogramë.

– Nga ana tjetër, Universiteti Bujqësor i Tiranës ka kërkuar 2 bileta me itinerar Tiranë – Vjenë, Austri. Udhëtarët kanë sakrifikuar datat e pushimit, pasi nisjen e bënë në datën 27 nëntor dhe kthimin në datën 28 nëntor. Duke qenë se ishte vetëm një ditë, kërkuan bagazhe deri në 8 kilogramë.

– Radio Televizioni Shqiptar, një institucion shtetëror, i bën me tender udhëtimet. RTSH-ja ka bërë tenderin me destinacion Romën. Nisja është bërë në datën 25 dhe kthimi në datën 26 nëntor. Të dyja ditë pushimi. Kanë kërkuar edhe bagazh deri në 20 kilogramë.

– Kuvendi ka kërkuar 1 biletë për në Bruksel, Belgjikë. Nisja në datën 27 nëntor në mëngjes dhe kthimi në datën 30 nëntor.

– Një “sakrificë” më të madhe do ta bëjë një punonjës i Ministrisë së Bujqësisë, i cili do të qëndroje 6 ditë në Stamboll në Turqi, nga data 1 deri në 6 dhjetor, përfshirë edhe të shtunë e të diele. Madje, janë kërkuar edhe bagazhe të plota të përfshira.

– Ndërkohë, Bashkia e Tiranës ka bërë edhe një tender tjetër për dy bileta për në Saint-Gilles, Belgjikë. Bileta e parë kishte si datë nisje 25 nëntor, ditë e shtunë, dhe kthimin në datën 26 nëntor. Udhëtimi pa ndalesë dhe me bagazhe të përfshira.

– Por, në kulmin e pushimeve dhe ato që përcaktoi VKM-ja, do të udhëtojë 1 punonjës tjetër i Kuvendit për në Bruksel. Nisja u planifikua në datën 27 nëntor 2023 në mëngjes dhe kthimi në datën 29 nëntor 2023, pasdite vonë.

– Po në Bruksel u blenë 2 bileta edhe nga Këshilli i Qarkut Tiranë. Itinerari është 29 nëntori dhe kthimi në datë 1 dhjetor. Sërish, me bagazhe të plota të përfshira!

– Lista vijon me tenderët e Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive, që ka kërkuar 4 bileta; dy me destinacion Romën dhe 2 të tjera për në Mexico City, në Meksikë. Në Romë nisja është në datën 27 nëntor, ndërkohë në Meksikë nisja në datën 2 dhe kthimi në datë 6 dhjetor. Sërish sakrifikuan edhe ditët e pushimit, të shtunë dhe të diel, për të “punuar” në Meksikë!

– Tender për bileta udhëtimi ka bërë edhe Ministria e Bujqësisë. 4 punonjës udhëtuan në datën 27 nëntor pas dreke për në Vjenë. Kthimi në datë 29 nëntor, në mbrëmje. Bagazhe të përfshira.

– Në qendër të Europës, Bruksel, janë me punë edhe 2 punonjës të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Ata u nisën në datën 26 nëntor dhe do të kthehen në datë 2 dhjetor.

– Një punonjës i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë ka udhëtuar për në Munih, Gjermani. Punonjësi ka kërkuar 23 kilogramë bagazhe!

– Në kulmin e pushimeve në Shqipëri, dy punonjës të tjerë Kuvendit po “punojnë” në Madrid, Spanjë. Ata udhëtuan në datën 25 nëntor 2023 dhe u kthyen në datën 29 nëntor. Për shkak të punës, “humbën” ditën e Pavarësisë dhe Çlirimit.

– Po në Spanjë, por kësaj herë në Barcelonë, ishte për “punë” edhe 1 punonjës i Këshillit të Qarkut të Tiranës. Ai udhëtoi në datën 23 dhe u kthye ditën e shtunë më 25 nëntor me 20 kilogramë bagazhe.

– Por, kush duhet t’i kontrollojë këtë institucione? Në Kushtetutë është parashikuar Kontrolli i Lartë i Shtetit. Por, edhe ky institucion do të dërgojë në Romë, Itali, 6 punonjës. Nisja u bë në datë 29 nëntor, ditë pushimi me VKM, dhe kthimi në datë 2 dhjetor, ditë e shtunë. Secili punonjës do të ketë biletë me 20 kg bagazh.

– Qendra e Shërbimeve Arsimore kërkoi 1 biletë për në Paris, Francë. Punonjësi u nis në datë 20 dhe u kthye në datë 24 nëntor.

– Megjithatë, udhëtimin më të gjatë e kanë planifikuar punonjës të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Ky institucion ka kërkuar 1 biletë me destinacion Sidni, Australi. Nisja u bë në datën 24 nëntor dhe kthimi do të bëhet më 1 dhjetor 2023. Punonjësi sakrifikoi edhe ditët e pushimit, të shtunë, të diel. Por, edhe ato të parashikuara nga VKM-ja.

– Por, pas Australisë, 3 punonjës të tjerë të Sigurimeve Shoqërore do të udhëtojnë për në Meksikë. Nisja do të bëhet në datën 2 dhjetor dhe kthimi në datë 8 dhjetor. 3 punonjësit do të punojnë të shtunën e 2 dhjetorit, të dielën e 3 dhjetorit dhe do të kthehen pas 1 jave.

– Udhëtim më të shkurtër bëri 1 punonjës i Ministrisë së Financave, i cili u nis në datën 22 nëntor në Gjenevë, Zvicër, dhe u kthye ditën e shtunë, në datë 25 nëntor.

– Në Barcelonë, një qytet turistik që kërkohet shumë nga shqiptarët, janë nisur edhe 2 punonjës të Shërbimit të Provës. Ata u nisën në datën 27 nëntor dhe do të kthehen në datë 29, me bagazhe të plota

– Lista vijon me udhëtime në Budapest, Hungari, të 2 punonjësve të Ministrisë së Financave. Punonjësit janë nisur në datë 27 nëntor dhe do kthehen në datë 30, duke humbur 3 ditë pushimi të përcaktuara nga VKM-ja.

– Ndërkohë, Kuvendi i ka shpërndarë punonjësit në të gjithë botën. Pas Belgjikës dhe Spanjës, një tjetër punonjës është nisur në për në Uashington.

– Lista që hulumtoi Fiksi, por jo ajo në Agjencinë e Prokurimit Publik, mbyllet me udhëtimin e një tjetër punonjësi të Kuvendit për në Berlin, në datat 27-29 nëntor 2023. Pra, në ditë pushimi.

Të gjithë “sakrifikuan” nga ditët e pushimit, por edhe të shtunë e të diel, për të “punuar” në të gjithë botën. Sipas vëzhgimit të Fiks Fare, punonjësit e administratës preferojnë të punojnë jashtë vendit sa herë që në Shqipëri ka festa apo pushime verore. Kulmi i udhëtimeve të tyre është në verë, festat e nëntorit dhe fundviti. Goxha sakrificë!

FOTO GALERI
1/8

Top Channel