Top Channel Films prezanton filmin i cili mban emrin “5 Herë Jo”, një komedi romantike, me protagonist Bora Zemani dhe Donald Veshaj që do të shfaqet Premierë në kinema në muajin dhjetor.

Filmi për të cilin është aluduar shumë se do të shfaq historinë e dashurisë mes Bora Zemani dhe Donald Veshaj, në fakt ka një histori krejt tjetër por jo larg realitetit që ndeshemi përditë.

 “Është bërë me shumë dashuri, dhe jam e bindur që kjo do reflektohet edhe tek publiku që do vijë ta shohi filmin në kinema. Nuk jemi kursyer në asgjë. Të gjithë e konsideronin si filmin e tyre”, tha producentja dhe aktorja Bora Zemani.

 “Kemi bërë nje komedi romantike ku ndihen notat e forta të komedisë dhe shume nota romance”, tha producenti dhe aktori Donald Veshaj.

Historia e filmit zhvillohet rreth një dashurie që vjen papritur, ku aventurat dhe intrigat ndodhin në sfondin e një atmosfere romantike duke bërë që historia të jetë edhe më magnetike.

 “Personazhet e këtij filmi po ndërtojnë një ëndërr. Është një histori dashurie që gati të lë pa frymë”, tha regjisori Erion Bubullima.

Me aktorët e mirënjohur si Agron Llakaj, Egla Ceno, Xhevahir Zeneli, e një kast aktorësh të talentuar, pritet ta bëjnë këtë prodhim kinematografik unik në përvojën e çdo shikuesi.

 “Është simbolika e dashurisë së dy të rinjve të cilët kanë vendosur që jetën e tyre ta materializojnë nëpërmjet filmit. Është një kujtim shumë i bukur por ajo që mendoj unë është që cdokush që ka këtë lloj simbolike dashurie ka një motiv për ta parë filmin”, tha aktori Agron Llakaj.

Publiku deri më tani është njohur me një teaser të shkurtër por ende jemi në pritje të trailerit zyrtar të filmit. Ndërkohë ajo që dihet me siguri deri më tani, është se kolona zanore e “5 Herë Jo” do të vijë nga Alban Skënderaj, një prej këngëtarëve më të dashur për publikun shqiptar.

Premierën e “5 Herë Jo” e presim me padurim, gati të përcjellim çdo emocion dhe surprizë që ky film do të sjellë me vete.

Top Channel