Dita e patriotëve të vërtetë/ 28 Nëntori, Top Channel uron të gjithë shqiptarët gëzuar!

28/11/2023 12:13

Nga ALTIN KREKAS – Sot është ditëlindja e shtetit modern shqiptar, një moment historik që na ka formësuar në atë që ne jemi, shqiptarë dhe europianë.

111 vite më parë, etërit themelues të këtij shteti krijuan shtëpinë e sigurt për kombin dhe për shqiptarinë, që është shumë më e madhe se sa hapësira e asaj që sot quhet Shqipëri.

Historia e identitetit tonë nuk nis këtu, por shumë thellë në histori. 28 Nëntori është një datë e shënuar shekuj më parë nga heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, etërit themelues, shekuj më pas ecën nën gjurmët e tij në finalizimin e shtetit. Historia e shqiptarisë nuk mbaron këtu. Në botën që po ecën me shpejtësi drejt globalizimit, rrëzimit të kufijve, është detyra e të gjithë bashkëkohësve për të vazhduar ndërtimin e identitetit tonë. Ka shumë shqiptarë që po e bëjnë emra, që po lënë gjurmë edhe përtej kufijve tokësorë, duke i imponuar respekt për shqiptarinë.

Sot është dita simbol e të gjitha përpjekjeve të patriotëve, që krijuan shtetin shqiptar, por për ne nuk duhet të jetë e vetmja ditë që të sillemi si patriotë. Jo vetëm ta brohorasim patriotizmin në stadium apo ditë festash, por të sillemi çdo ditë. Zhvillimi kulturor, social, ekonomik është sot patriotizmi i vërtetë. Shkollimi i të rinjve për të qenë europianë të barabartë në botën që po ndryshon, është patriotizmi i vërtetë. Kush sot bën të kundërtën për ta penguar ecjen para, është thjeshtë pasardhës i përpjekjeve të dikurshme që kërkonin të ndalonin me forcë krijimin e shtetit shqiptar. Sot armiqtë e kombit janë, varfëria, korrupsioni, injoranca, kriminaliteti, nëse mundim këta armiq, është shumë më e lehtë të përballesh me sfidat që na krijojnë ata që nuk flasin shqip si ne.

Ne në Top Channel dhe Top Media, po bëjmë pjesën tonë të përgjegjësisë dhe për këtë shqiptarët na kanë vlerësuar. Nisëm shumë vite më parë revolucionin mediatik që i dha një rrugë europiane informimit, por njëkohësisht krijuam një lidhje që i mungonte gjithë pjesëve të kombit tonë, në tokat etnike në Ballkan dhe në diasporë kudo në botë. Ajo që do mbahet mend gjatë si kontribut për shqiptarinë është përhapja e fjalës shqip kudo në botë.

Sot, pasardhësit e emigrantëve shqiptarë kudo në botë flasin shqip edhe me ndihmën e Top Media. Por kontributi më i madh patriotik është lufta jonë e përditshme për fjalën e lirë, informimin e drejtë dhe mbrojtjen e interesit publik. Në mënyrë që kombi të ecë përpara drejt të qenit të barabartë si shqiptarë në shtëpinë e madhe europiane të kombeve të përparuara. Një kontribut për të shkuar drejt dritës që lind nga Perëndimi.

Sot është festa e 111 e krijimit të shtetit, një ditë e rëndësishme që na bën të gjithëve bashkë pa dallim moshe, feje, apo vendi ku jetojmë dhe që na bën të emocionohemi si të ishte dita e parë e pavarësisë. Dhe sot në këtë ditë kuqezi, Top Channel uron gëzuar të gjithë shqiptarëve.

Kryredaktor i Departamentit të Informacionit, Top Channel

Top Channel