Edukim patriotik përmes artit! Një murale e Bledar Çakallit me portretet e Ismail Qemalit dhe Çerçiz Topullit

25/11/2023 12:18

Artisti Bledar Çakalli i njohur në të gjithë trevat shqiptare për ringjalljen përmes muraleve publike të dhjetëra figurave me kontribut të çmuar për kombin, sapo ka nisur një tjetër projekt të edukimit patriotik, përmes artit.

Bledari ka zgjedhur që të sjellë një murale rreth 70 metra të gjatë të vendosur mbi murin anësor të shëtitores që lidh liqenin e Viroit me Gjirokastrën. Ai po vendos në një sfond me ngjyrë të kuqe fillimisht figurat e Ismail Qemalit, Gjergj Kastriotit e Çerçiz Topullit ndërsa pritet që krahas tyre të renditen portrete të tjerë edhe nga fusha e letrave diplomacisë edukimit në mbrojtje të çështjes kombëtare.

“Ndjesia është më shumë me problemet që ne hasim sot dhe kur pikturon figura të tilla të jep mendimin që ata kanë bërë më shumë se ne dhe s’duhet të ankohemi për çfarë problemesh na dalin gjatë rrugës, Çështja ime dhe kauza është për figurat kombëtare me i ringjall dhe kam qenë në shumë vende në Vlorë, në Dibër, Kukës, Kosovë, Sarandë”, tha Çakalli.

Piktori që shpenzon më shumë se 8 orë çdo ditë mbi këtë vepër e preferon këtë dekor me karakter kombëtar në hapësirë të dukshme publike. Sipas tij ka shumë të rinj që nuk njohin shumicën e këtyre figurave e për pasojë të kontributeve. Ai ka marrë përsipër që ta vijojë këtë mision me mbështetjen e atdhetarëve nga shumë vende në diasporë në çdo cep të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Fakti që njerëzit po më vlerësojnë kjo më bën të ndihem mirë dhe të vazhdoj dhe është një shtysë shumë e madhe për kauzën që përfaqësoj. Siç e thashë dhe më përpara është vend me një histori shumë të madhe dhe kryesisht me figurat kombëtare jam i lidhur shumë dhe nuk besoj se do të jetë hera e fundit këtu në Gjirokastër”, u shpreh Çakalli.

Deri tani Bledar Çakalli ka dekoruar murale me karakter portretin , luftën për liri, figura të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, figura të rëndësishme të luftës për pavarësi, dhe shumë luftëtarë për të cilët mungonin portretet.

Top Channel