Nxënësit e viteve të para të gjimnazeve, tani mund të transferohen lehtësisht në shkollat e arsimit profesional, nëpërmjet e-Albania.
Kjo nismë është pjesë e një reformë në arsim, që ka për qëllim rritjen e nxënësve që studiojnë në shkollat profesionale të vendit. Në një takim që bëri bashkë drejtorët e shkollave të arsimit profesional me drejtorët e drejtorive dhe zyrave arsimore, kryeministri Edi Rama shprehu objektivin për të plotësuar katër mijë vende të lira në arsimin profesional.
“Nuk është fjala për një reformë të thjeshtë, por për një reformë jetike për ekonominë dhe zhvillimin tonë social. Unë shumë e qartë, arsyet pse arsimit profesional vazhdon të mos jetë në lartësinë e duhur të vëmendjes së prindërve dhe nxënësve janë më shumë se sa një. Nga ana tjetër, është po kaq e qartë se në këtë fazë të zhvillimit të vendit, ne duhet të bëjmë një sforco të përbashkët për të kapërcyer pengesat që ngrihen gjatë gjithë rrugës, për shkak të këtyre arsyeve.
Nëse i nxisim dhe i shtyjmë nxënësit që të integrohen në sistemin e arsimit profesional, e bëjmë pa merakun që do të shkojnë në shkolla ku nuk do të marrin dot arsimin e nevojshëm, për shkak të kushteve. Duhet të zgjerojmë më tutje infrastrukturën e arsimit profesional. Por, jemi gati për fazën e parë, që duhet të intensifikojë të gjithë aktivitetin tuaj. Nëse sot kemi 4 mijë vende të lira për nxënës në arsimin profesional, ne duhet të thithim 4 mijë nxënës”.
Shkollat e përgjithshme dhe ato profesionale, duhet të funksionojnë si një sistem, u shpreh kryeministri.
“Drejtoritë rajonale duhet t’i konsiderojnë shkollat profesionale si pjesë të tyre dhe ministrja duhet të përgatisë një dokument ligjor, zyrtar, ku kjo duhet të jetë edhe e formalizuar. Varësia e dyfishtë e shkollave të arsimit profesional. Objektivi, është objektiv zyrtar i drejtorive arsimore”.
Kryeministri theksoi se në sektorin e turizmin, duhet të punësohen të rinj që ofrojnë cilësi.
“Sot hotelet në Shqipëri nuk pyesin më sa e do rrogën, por a vjen në punë. Janë gati të japin edhe më shumë, por duan të kenë cilësi. Nuk duan njerëz që nuk dinë të lidhin as përparësen”.
Top Channel