Pasuritë e Jamarbër Mallltezit do të vijojnë të mbahen nën sekuestro preventive.
Këtë masë e vendosi gjyqtarja Iliriana Olldashi, në krye të dy ditëve të ngarkuara me kërkesat e SPAK që kërkoi përjashtimin e saj nga gjykimi. Gjyqtarja e Apelit u pa nga SPAK në konflikt interesi, por një tjetër gjyqtare që shqyrtoi tre kërkesa përjashtimi të prokurorisë vlerësoi se gjyqtarja Olldashi nuk ka konflikt dhe duhet të vijojë shqyrtimin.
Këto argumente i hapën rrugë Olldashit të shprehet jo vetëm për pasuritë e Malltezit, por edhe për dy seanca të tjera të veçuara nga njëra tjetra.
Nisur nga kërkesat e ish kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij që kërkuan shuarje të masave të sigurimit personal, gjyqtarja i kundërshtoi të dy.
Olldashi vlerësoi se nuk ekzistojnë kushtet për shuarjen e këtyre masave. Megjithëkëtë avokati Genc Gjokutaj përmendi se edhe Berisha dhe Malltezi nuk e kanë marrë në kohë vendimin e Irena Gjokës.
“Depozitimi i vendimit pas 12 kur ligji kërkon 48 orë, një vendim i pazbatuar ende i cili automatikisht humbet fuqinë e masave, fuqinë e aktit me të cilin janë caktuar këto masa”, tha avokati Genc Gjokutaj.
Por nga data 20 tetor kur u shpall masë detyrimi me paraqitje për ish kryeministrin, me përjashtim të zbutjes së masës për Jamarbër Malltezin asgjë tjetër nuk ka ndryshua.
Një koment mbi vlerësimin e SPAK që e konsideroi që gjyqtarja Ilirjana Olldashi është në konflikt interesi. Pyetja e dytë, a do të paraqitet Sali Berisha në datën 4 dhjetor?
“E kemi ezauruar këtë pyetjen e dytë, pyetja e parë, kërkesa e SPAK-ut për përjashtimin e gjyqtares Ilirjana Olldashi nuk ka asnjë lloj baze ligjore as logjike, ky është një presion që i bëjnë gjykatës për të mbuluar të gjitha këto shkelje proceduriale që ne po i dokumentojmë përmes këtyre seancave”, tha Gjokutaj.
Java që vjen është e fundit përpara të hënës së katër dhjetorit, e cila është dita e detyrueshme për ish kryeministrin. Deri atëherë , palët do vëzhgojnë njëra tjetrën jo vetëm për lëvizjen e radhës për dosjen Partizani. SPAK pret zbardhjen e vendimit nga Iliriana Olldashi që të ankohet në gjykatën e lartë dhe të kërkojë kthimin në burg të Malltezit. Edhe avokatët e dy të dyshuarve nuk do rrinë duarkryq dhe do shfrytëzojnë çdo kartë për mbrojtjen.
“Faji i parë është i prokurorëve, duhet të kishin shkuar në parlament, erdhën në gjykatë, gjykata duhet ta kthente, është një marrëveshje midis tyre, por do të kemi kohë të flasim prap, marrëveshje e SPAK-ut me gjykatën”, shtoi Gjokutaj.
Top Channel