Lamtumirë Zef Deda! Charlie Chaplini shqiptar la pas krijimtari të larmishme me qindra role

24/11/2023 12:31

Aktori i madh i humorit shqiptar, njeriu që i dhuroi të qeshura publikut të gjerë dhe atyre që e rrethonin, u nda nga jeta.

Zef Deda ishte nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë, shpirti i tij i humorit do të mbetet gjithmonë mes nesh.

Ai u lind në Shkodër më 27 korrik 1950 dhe u shkollua në qytetin e tij të lindjes, dhe në politeknikumin e ndërtimit në Tiranë. Shkodra do të mbetej gjithmonë dashuria e tij. Fotografia e tij qëndron përkrah ikonave të tjera të skenës ne Teatrin Migjeni, ku ai e takoi publikun për më shumë se 40-vite.

Talenti i tij spikatim që në moshë të vogël. Me një shkathtësi dhe një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrinte të realizonte qindra figura artistike. Prandaj dhe është mjaft i dashur për publikun shqiptar, sidomos atë Shkodran.

Pas një shkëputje prej 6 vitesh, për shkak të emigrimit jashtë atdheut, ai kthehet në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit, të cilin e vazhdoi me besnikëri deri në fund të jetës.

Zef Deda ishte i martuar me Rozina Dedën dhe dy djemtë, Julian Deda dhe Marjan Deda, jo vetëm pasuan denjësisht emrin e mirë në art, por me identitetin e tyre fituan shume zemra. Artisti i dha lamtumiren e fundit publikut në këtë 73-vjetor, për të mbetur përjetësisht i gdhendur me rolet e tij.

Top Channel