Emigracioni në Mbretërinë e Bashkuar shënoi një rekord të ri vjetor prej 745,000 personash vitin e kaluar dhe që prej atëherë, ka mbetur në nivele të larta thotë Reuters.
Kjo sipas agjencisë prestigjioze të lajmeve, shton presionin ndaj kryeministrit Rishi Sunak për t`u hedhur në veprim e për të frenuar fluksin e emigrantëve përpara zgjedhjeve. Nivelet e larta të emigracionit të ligjshëm kanë mbizotëruar për më shumë se një dekadë peizazhin politik të Britanisë dhe do të jenë sërish një elemente kyç në fushën e betejës së votimeve vitin e ardhshëm.
Shifrat e porsa publikuara janë një telash i ri për Sunakun, politika kryesore e të cilit ka në boshtin e saj pikërisht luftën ndaj mbërritjeve të paligjshme, por që javën e kaluar mori një goditje të fortë nga vendimi i gjykatës së lartë për të rrëzuar planin e qeverisë që azilkërkuesit të dërgoheshin në Ruanda.
Sunak është zotuar me të madhe të ndalojë gomonet nga La Manshi, një referencë kjo ndaj emigracionit të paligjshëm. Megjithatë, ai ka premtuar nga ana tjetër të reduktojë po kështu edhe numrin e emigrantëve që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të ligjshme, duke tentuar t`i përgjigjet shqetësimeve të votuesve për presionin e shtuar mbi shërbimet publike dhe strehimin.
Shumica e emigrantëve në Angli tani rezultojnë të jenë nga vendet jo anëtare të BE-së, dhe pjesa dërrmuese e tyre janë në kërkim të punësimit.
Top Channel