Fiks Fare denoncoi veprimet e institucioneve të drejtësisë, të cilat kanë favorizuar një të akuzuar për vrasje dhe dëmtim të kufomës.
Ngjarja ka ndodhur në nëntor të vitit 2021 në Qafë Mollë, pas Malit të Dajtit në Tiranë, ku është gjetur trupi i pajetë i Ruzhdi Hoxhës. 44-vjeçari është vrarë në 21 nëntor dhe trupi i tij u gjet në 6 dhjetor. Janë bërë hetime nga policia, prokuroria dhe çështja ka kaluar në gjykatë. Por, këtu ka ndodhur edhe favorizimi i autorit Ferdinand Rrushi, i cili fillimisht është akuzuar për vrasje me paramendim, por në gjykatë vepra penale iu ndryshua në vrasje me dashje. Në fund, ai u dënua me vetëm 10 vite burg që duhet ta kryejë në një burg të sigurisë së zakonshme, çka i hap rrugë për ulje dënimi dhe lirim me kusht.
Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” u ankua z. Xhelal Hoxha, babai i viktimës. Grupi i Fiksit, së bashku me Xhelalin, udhëtuan në zonën e Qafë Mollës, pranë vendit ku është gjetur trupi i pajetë i Ruzhdiut. “Ne ndodhemi në vendin ngjarjes ku është hedhur kufoma e djalit tonë, është hedhur nga lapidari deri te kamioni që është dëmtuar para kësaj ngjarje. Dinamika e ngjarjes është marrë në këtë formë. Ka dalë të pijë kafe me shoferin e tij në Tiranë në datë 21 nëntor 2021. Kanë qenë 3 a 4 shokë. Më pas ka ardhur shoku i tij Fredi Rrushi, është një shok që njihej prej 20 vitesh. E ka takuar dhe i ka thënë shoferit ik. Ata rrinin përditë bashkë. Të nesërmen bjeri telefonit, s’punonte” pohon Xhelali.
Ai shton se familja donte që të takonte Fredin për ta pyetur se ku ndodhej Ruzhdiu. “Më mori në telefon djali tjetër dhe më thotë mos shko se Fredi është i fundit që është takuar me atë. Kemi bërë kontrolle në të gjithë zonën pas Malit të Dajtit. Informacioni na erdhi nga një bari që e porosita. Kufomën e ka gjetur policia në datën 6 dhjetor 2021” thotë Xhelali. Ai pohon se djali i tij është vrarë në Tiranë dhe është hedhur në Dajt. “Ne dyshojmë se është vrarë atje ku është hedhur celulari, te Akademia ushtarake. Ne atje dyshojmë se mund ta ketë vrarë. Një plumb në qafë një nga gjoks. Me qitje të afërt. Ai me shumë mundësi është vrarë me dy armë, në qafë dhe në gjoks përnjëherë. Më pas duhet të kenë udhëtuar nga shkolla e bashkuar dhe e kanë hedhur këtu” pohon ai.
Fillimisht trupi i pajetë është hedhur në datën 21 nëntor 2021 dhe të nesërmen autorët kanë shkuar dhe e kanë mbuluar me gurë. Ata kanë lëvizur me një mjet “Volkswagen Passat”. “Mjeti s’është gjetur ende. Kështu thotë prokurori. Unë i thashë prokurorit ti s’ke bërë asnjë gjë me tepër sesa mediat që e kanë gjetur kufomën” pohon babai i viktimës.
Më tej tregon se hetimet e prokurorisë kanë qenë të mangëta. “Për ngjarjen u hetua dhe gjykua Fredi Rrushi bashkë me të vëllanë. Është ble prokuroria dhe gjykata. Janë blerë se kanë lekë. Ai s’është gjykim. 1 vit burg mund ta bëjë cilido për një thashethem që ofendon dike në lokal. 1 vit burg është vëllai i këtij që s’tregon makinën, ka fshehur kufomën. Edhe 1 vit e 4 muaj burg” thotë Xhelali, teksa shton se “Fredi është dënuar sikur një kryeplak që ka mbjellë hashash diku. Edhe e kap ligji 10 vite burg. Është dënuar me 10 vite burg për këtë masakër”.
Fiksi e pyeti se përse është bërë e gjitha kjo. “Duhet të kenë paguar të tjerët! T’i nxjerrin nesër këta të dy, se këta i dimë se kush janë. Të bësh tërë atë masakër dhe të dënohesh me 10 vite burg. S’ka ndodhur ndonjëherë e gjitha kjo. Të tregojë shkakun dhe të iki te shtëpia e vetë. Prokurori i ka hequr provat. Ata kanë dalë në dhomë këshillimi, gjykata mori prokurorin, avokatin dhe ranë dakord me 10 vite burg. Prokurori quhet Adriano Dyrmishi. Gjyqtare ka qenë Vjollca Spahiu, kryesuese” shton Xhelali, i cili tregon se trupi gjykues nuk ka marrë parasysh rrezikshmërinë e autorit.
“Autori ka mbështetje të madhe se ka vrarë edhe 2 të tjerë. U lirua. Ka mbjellë hashashin dhe e ka sjellë në shtëpi. Ai ka marrë lekët nga të tjerë, por ne ia lamë në dorë drejtësisë. Trupi gjykues të shkojë para gjykatës. Ne kërkuam apelimin e çështjes. Prokurori nuk pranoi të apelonte çështjen. Nuk i takonte prokurorit të shkonte në dhomën e këshillimit. Atje vajtën për pazar. Unë dyshoj se janë paguar shumë lekë. Ia kemi lënë shtetit ta hetojë. Të mbledhë prova” thotë babai i viktimës. Ruzhdi Hoxha ishte 44 vjeç, i martuar dhe ka 2 djem. “Djali merrej me ndërtime. Ka pasur fabrikë betoni. S’ka pasur probleme me drejtësinë. S’është dënuar ndonjëherë penalisht” përfundon Xhelali.
Fiks Fare ka siguruar dosjen e plotë të hetimeve të prokurorisë, e cila ka detaje mbi marrjen e viktimës, z. Ruzhdi Hoxha, në zonën e autostradës Tiranë – Durrës, transportin e tij në të gjithë Tiranën dhe më pas hedhjen e kufomës në zonën e Qaf Mollës. Automjeti tip Passat ka lëvizur nga Tirana në datën 21 nëntor 2021 dhe është kapur me antena në të gjithë zonën e Dajtit, edhe në Qafë Mollë.
Në të njëjtën dosje janë edhe fotografitë e vendit ku është hedhur viktima në Qafë Mollë. Pamjet janë horror! Fillimisht, viktima është hedhur në humnerë. I njëjti automjet ka bërë të njëjtin itinerar edhe në datën 22 nëntor të vitit 2021. Automjeti Passat ka lëvizur nga Instituti Bujqësor është kapur nga kamerat e disa subjekteve në zonën e Dajtit dhe më pas ka ardhur në këtë vend këtu! Dyshimi është që vëllai i autorit, por në bashkëpunim me disa persona të tjerë, kanë ardhur për të fshehur gjurmët e lëna në këtë vendngjarje. Sipas familjarëve, këta persona kanë tentuar që të fshehin trupin e pajetë të z. Ruzhdi Hoxha.
Pas ngjarjes, automjeti i autorëve ka qenë i parkuar në lokalin e vëllait të autorit. Prokuroria ka siguruar kamerat e sigurisë së këtij lokali, ku duket vëllai i Fredi Rrushit teksa kontrollon dhe pastron mjetin. Më pas, makina është zhdukur dhe nuk gjendet sot e kësaj dite. Për ngjarjen janë bërë dhjetëra vendime përgjimi dhe vëzhgimesh. Në fund, prokuroria e ka marrë të pandehur dhe e ka dërguar në gjykatë autorin Fredi Rrushi duke e akuzuar për “vrasje me paramendim”. Kjo vepër parashikon që nëse vrasja është për interes, dënimi është i përjetshëm.
Por, gjatë gjykimit, vepra penale ka ndryshuar në “vrasje me dashje”, e cila ka një dënim nga 10 deri në 20 vite burg. Gjykata nuk mori parasysh precedentët e autorit, apo edhe fshehjen e viktimës. Në fund, e dënoi me 10 vite burg. Madje, dënimin ta kryejë në një burg të sigurisë së zakonshme, çka i hap rrugë për ulje dënimi dhe lirim me kusht. Gjykata shkruan se “kundër vendimit lejohet ankim brenda 15 ditëve në Gjykatën e Apelit”. Por, pavarësisht se vepra penale u ndryshua në gjykatë, prokurori i Tiranës nuk e ankimoi në Apel!
Top Channel