Tregu i punës vendas dhe i huaj, sot më shumë se kurrë ka nevojë për profesionet. Në këtë kuadër Ministria e Arsimit po zhvillon fushatën “Zgjidh Zanatin”, fushatë e cila është shtrirë në rreth 300 gjimnaze të vendit.

Në bazë të saj çdo gjimnazist që do t’i transferojë studimet në një shkollë profesionale, mund ta kryejë këtë proces brenda 3 muajve të parë të vitit shkollor. Në të gjithë vendin janë 28 shkolla profesionale, të gatshme për të pritur nxënësit e rinj.

“Nxënësit e klasave të 10-ta, pra që sapo kanë nisur gjimnazin, dhe që e shohin si zgjidhje arsimin profesional, mund të transferohen pa burokraci në shkollat profesionale brenda muajit dhjetor. “Zgjidh Zanatin” bëhet në bashkëpunim mes mësuesve, prindërve dhe vetë nxënësve, për t’i dhënë një hov të ri zgjedhjes së arsimit profesional dhe mundësisë për t’u aftësuar dhe për të zhvilluar aftësitë në zanatet më të kërkuara nga tregu i punës.

Procedura është shumë e thjeshtë, nuk ka nevojë të shkojë asgjëkundi, mjafton që prindi I tij të futet në platformën e-Albania, SMIP, dhe të bëjë aplikimin për transferim nga shkolla e mesme e përgjithshme X, në shkollën profesionale Y. Aplikimi i shkon menjëherë drejtuesit të shkollë profesionale, i cili e orienton për programin që do të bëjë nxënësi, për lëndët e pazhvilluara etj. Janë krijuar të gjitha lehtësitë, ndaj është zgjedhur 3 mujori i parë, që të mos kenë humbje të lëndëve të zhvilluara gjatë tremujorit të parë nga shkolla profesionale.

Këtë të drejtë e kanë të gjithë veçanërisht nxënës të cilët shohin që e kanë të vështirë ose nuk e gjejnë shumë veten tek lëndët e gjimnazit, tek ato të përgjithshmet, duan të shohin më mirë një drejtim profesional, të mundet ta bëjnë atë, duke u regjistruar direkt në shkollat profesionale të rrethit ose dhe në shkolla profesionale, ku ata vlerësojnë që dega apo profesioni që do të marrin të nesërmen është edhe e një cilësie të lartë si shkollë, duke u orientuar drejt arsimit profesional nga mësuesit në shkollë.

Qëllimi është që nxënësi të marrë një zanat, të jenë efiçent në jetën e tyre, t’i shërbejnë më mirë vetes dhe ekonomisë së vendit, pasi të gjithë e dimë që ekonomia jonë ka më shumë nevojë për profesionistë, për njerëz që kanë zanat që në moshë të re. Edhe nga ana ekonomike ata kanë përfitime, pasi dalin më shpejt në tregun e punës. Duhet të theksoj se asnjë nxënësi që shkon në shkollë profesionale nuk i privohet e drejta për të ndjekur arsimin e lartë sipas dëshirës që ai ka, por kryesisht për degën që ai mbaron është më i preferuari”, deklaroi Shkëlqim Allkaj-Drejtor i Politikave të Arsimit Parauniversitar në MAS.

Top Channel