Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka deklaruar se “përgjigja e vetme” për konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit është “një zgjidhje reale me dy shtete”.
Në një konferencë për shtyp pas samitit të tij me presidentin kinez Xi Jinping në San Francisko, udhëheqësi amerikan paralajmëroi Izraelin se pushtimi i Gazës do të ishte një “gabim i madh” dhe theksoi se këtë qëndrim ia kishte bërë të qartë edhe kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Ia bëra të qartë izraelitëve, Bibit dhe kabinetit të tij të luftës se mendoj që e vetmja përgjigje këtu është një zgjidhje reale me dy shtete”, tha Biden.
“Ne duhet të arrijmë në pikën ku të jemi në gjendje të flasim edhe pa u shqetësuar nëse apo jo kemi të bëjmë me Hamasin… Unë nuk mund t’ju them se sa do të zgjasë, por mundem ju them se nuk mendoj se do të përfundojë derisa të ketë një zgjidhje me dy shtete”, shtoi Biden.
Presidenti amerikan ka miratuar prej kohësh një zgjidhje me dy shtete për tensionet prej dekadash midis Izraelit dhe palestinezëve. Biden, në fjalimin e tij në tetor në Tel Aviv, tha se ai mbështet një zgjidhje me dy shtete në ndjekje të paqes.
“Kombet e ndërgjegjshme si Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nuk maten vetëm me shembullin e fuqisë. Maten me fuqinë e shembullit tonë, dhe kjo është arsyeja pse sado e vështirë të jetë, ne duhet të vazhdojmë të ndjekim paqen. Ne duhet të vazhdojmë të ndjekim një në mënyrë që Izraeli dhe populli palestinez të mund të jetojnë të sigurt në dinjitet dhe paqe.”
“Për mua, kjo do të thotë një zgjidhje me dy shtete,” shtoi ai. “Ne duhet të vazhdojmë të punojmë për integrimin më të madh të Izraelit me fqinjët e tij. Këto sulme vetëm sa kanë forcuar përkushtimin dhe vendosmërinë time dhe vullnetin tim për ta realizuar këtë”.
Top Channel