Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze: Spitali i dytë më i madh i Gazës nuk funksionon më

12/11/2023 16:47

Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës (PRCS) ka njoftuar se Spitali Al-Quds në qytetin e Gazës, i dyti më i madhi në territor, tani është jashtë shërbimit.

Në një deklaratë të dielën, PRCS tha se spitali “nuk ishte më funksional. Ky ndërprerje e shërbimeve është për shkak të shterimit të karburantit në dispozicion dhe ndërprerjes së energjisë elektrike.

“Stafi mjekësor po bën çdo përpjekje për të ofruar kujdes për pacientët dhe të plagosurit, pavarësisht nga kushtet e rënda humanitare dhe mungesa e furnizimeve mjekësore, ushqimit dhe ujit”, shtoi Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës.

PRCS tha se “i vjen thellësisht keq që arriti në këtë pikë kritike, pavarësisht përpjekjeve për ta parandaluar atë. Apelet e përsëritura për ndihmë urgjente ndërkombëtare, duke pasur parasysh rrethimin njëjavor dhe ndërprerjen pesë-ditore të komunikimit dhe internetit, kanë qenë të pasuksesshme.”

“Spitali është lënë të kujdeset vetë për veten nën bombardimet e vazhdueshme izraelite, duke paraqitur rreziqe të mëdha për personelin mjekësor, pacientët dhe civilët e zhvendosur,” vijoi PRCS.

Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës pretendoi se spitalet ishin nën rrethim, çka është hedhur poshtë vazhdimisht nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit.

Sipas saj ka “vetëm një spital operacional në Gaza dhe dy në veri“. Të shtunën, PRCS tha në një deklaratë se luftimet rreth spitalit al-Quds kishin shkaktuar “panik dhe frikë ekstreme” mes njerëzve brenda objektit.

Nibal Farsakh, drejtor i njësisë së medias PRCS në Ramallah, tha për CNN se mjekët e organizatës ishin bllokuar në spital, në të cilin kishte “zjarr të fortë direkt” dhe “i cili ishte i rrethuar nga tanke nga të gjitha anët”.

I pyetur për situatën në Al-Quds të shtunën, IDF tha: “IDF është në mes të luftimeve intensive të vazhdueshme kundër Hamasit në afërsi të zonës në fjalë, dhe ndryshe nga Hamasi, i përmbahet ligjit duke marrë të gjitha masat e mundshme për të zbutur dëmin ndaj civilëve.”

Luftime intensive janë raportuar edhe rreth spitalit më të madh të Gazës, Al-Shifa. Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi në Gaza tha se nuk kishte ushqim, ujë apo energji elektrike dhe se pacientët dhe stafi nuk mund të largoheshin. Ushtria izraelite ka mohuar se ka rrethuar Al-Shifa dhe do të ndihmojë këdo që dëshiron të largohet i sigurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA