Banorët e Guamit dhe Ishujve Mariana Veriore janë vënë në gatishmëri për shkak të afrimit të Supertajfunit Bavi, një sistem i fuqishëm tropikal që është intensifikuar në nivelin më të lartë dhe pritet të godasë territorin amerikan në Oqeanin Paqësor në fillim të javës së ardhshme.
Në Saipan, radhë të gjata automjetesh janë krijuar në pikat e karburantit, ndërsa qytetarët janë drejtuar drejt dyqaneve për të blerë kompensatë, materiale mbrojtëse për banesat, si dhe rezerva ushqimore dhe ujë të pijshëm.
Sipas Qendrës së Përbashkët të Paralajmërimit për Tajfunet (JTWC), Bavi është fuqizuar në një “supertajfun”, ekuivalent me një uragan të Kategorisë 5. Në mesnatë, stuhia po lëvizte drejt perëndimit me erëra të qëndrueshme deri në 259 kilometra në orë dhe shpërthime që arrijnë në 314 kilometra në orë.
Cat-5 Super #Typhoon #BAVI is barreling toward Mariana Islands with estimated winds of 140 knots. There's till some spread in ensemble models, but most bring center between Guam & Saipan/Tinian, very near Rota (pop. ~2K). I'll head out to Taiwan or Japan to hunt BAVI next week. pic.twitter.com/eRea7IlqTo
— Josh Morgerman (@iCyclone) July 4, 2026
Meteorologët parashikojnë se sistemi mund të dobësohet disi përpara se të prekë Guamin dhe Ishujt Mariana Veriore të hënën në mëngjes, por gjithsesi pritet të sjellë kushte të rrezikshme stuhie tropikale.
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i SHBA-së ka paralajmëruar se trajektorja e parashikuar e stuhisë paraqet “një perspektivë alarmante për Ishujt Mariana”, duke u bërë thirrje banorëve të përfundojnë përgatitjet sa më shpejt.
Kjo do të ishte goditja e dytë e një supertajfuni brenda vetëm dy muajsh për rajonin, pasi në prill Super Tajfuni Shinlaku shkaktoi ndërprerje masive të energjisë elektrike, rrëzoi pemë, përmbysi automjete dhe dëmtoi qindra ndërtesa.
Për shkak të kërcënimit të stuhisë, përgatitjet për festimet e 250-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara janë lënë në plan të dytë.
Ishujt Mariana Veriore kanë rreth 40 mijë banorë, ndërsa në Guam jetojnë afërsisht 170 mijë persona. Një banor i zonës tha se “dy supertajfunë brenda dy muajsh është diçka historike” dhe se një situatë e tillë nuk është parë më parë në arkipelag.
Ndërkohë, Organizata Botërore Meteorologjike paralajmëroi se fenomeni klimatik El Niño ka nisur tashmë në Paqësorin tropikal. Ky fenomen, që shfaqet zakonisht çdo dy deri në shtatë vjet, rrit temperaturën e sipërfaqes së oqeanit dhe ndikon në qarkullimin e erërave dhe reshjeve, duke ndryshuar modelet klimatike në mbarë botën.
Top Channel