“Ne e mohojmë”/ Ukraina hedh poshtë pretendimet ruse për pushtimin e Kostyantynivka-s, qyteti i njohur si pikë strategjike e mbrojtjes ukrainase

04/07/2026 10:32

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka hedhur poshtë pretendimet e Rusisë se forcat e saj kanë marrë nën kontroll qytetin e Kostyantynivka-s, në lindje të Ukrainës.

Qyteti konsiderohet një nga pikat strategjike të mbrojtjes ukrainase në rrugën drejt qendrave të fundit të mëdha të Donbasit që vijojnë të jenë nën kontrollin e Kievit.

“Ne e mohojmë. Këto janë pretendime të rreme”, deklaroi një zyrtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, duke kundërshtuar njoftimin e bërë nga Moska.

Një ditë më parë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kishte deklaruar se Kostyantynivka ishte “pushtuar plotësisht” dhe se qyteti ndodhet tashmë nën kontrollin e forcave ruse. Ai shtoi se presidenti rus, Vladimir Putin, kishte zhvilluar bisedime me drejtuesit ushtarakë lidhur me situatën në front.

Ndërkohë, autoritetet ruse raportuan se Shën Petersburgu dhe rajoni i Leningradit u goditën gjatë natës nga një sulm masiv me dronë ukrainas.

Guvernatori i Shën Petersburgut, Alexander Beglov, tha se qyteti me rreth gjashtë milionë banorë ishte objektiv i një sulmi “në shkallë të gjerë”, pa dhënë detaje mbi objektivat e goditura. Megjithatë, mediat lokale raportojnë se në terminalin e naftës së qytetit shpërtheu një zjarr pas sulmit.

Nga ana tjetër, guvernatori i rajonit të Leningradit, Alexander Drozdenko, bëri të ditur se dronët kishin shënjestruar edhe portin e Vysotskut, rreth 170 kilometra larg Shën Petersburgut, në Gjirin e Finlandës. Porti përdoret për eksportin e naftës, drithërave, qymyrit dhe gazit natyror të lëngshëm.

Sipas Drozdenkos, sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan 72 dronë mbi rajonin e Leningradit.

Top Channel