‘Bota na ka harruar’, kriza humanitare në Gaza në hijen e zhvillimeve me Iranin

04/07/2026 11:34

Lufta në Gaza ka kaluar në plan të dytë në arenën ndërkombëtare, ndërsa vëmendja është përqendruar te marrëveshja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Në enklavën palestineze, banorët thonë se kriza humanitare vazhdon, ndërsa përpjekjet diplomatike për një zgjidhje politike mbeten pa rezultat konkret.

“E gjithë bota e ka harruar Gazën dhe tragjedinë e saj”, thotë me hidhërim Ahmed Jamali, një palestinez 53-vjeçar që jeton në një kamp për persona të zhvendosur në Qytetin e Gazës. Duke folur për AFP-në, ai shprehet se ndërsa vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit, askush nuk po i kushton më vëmendje vuajtjeve të banorëve të Gazës.

“Izraeli bën çfarë të dojë: vret, shkatërron dhe pushton Gazën, dhe askush në botë nuk lëviz gishtin”, deklaron ai.

Lufta në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona. Si kundërpërgjigje, Izraeli ndërmori një ofensivë ushtarake në Rripin e Gazës, ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit janë vrarë mbi 73 mijë persona, shifra që konsiderohen të besueshme edhe nga OKB-ja.

Konflikti u zgjerua më pas edhe në rajon, duke përfshirë përplasjet mes Izraelit dhe Iranit, Hezbollahut në Liban dhe Huthëve në Jemen.

Edhe pse Izraeli vendosi një armëpushim të brishtë në Gaza në tetor 2025, katër muaj më vonë, së bashku me Shtetet e Bashkuara, hapi një front të ri ushtarak kundër Iranit. Armiqësitë përfunduan pas nënshkrimit të “Memorandumit të Mirëkuptimit të Islamabadit” mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Megjithatë, dokumenti nuk përfshin asnjë referencë për Gazën. Në vend të kësaj, ai fokusohet në përfundimin e armiqësive mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, një zhvillim që analistët e konsiderojnë prioritet për Iranin.

Sipas Hugh Lovatt nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, kjo tregon se Hamasi ka humbur një pjesë të rëndësisë strategjike për Teheranin.

“Iranianët nuk janë vërtet të interesuar për Gazën. Hamasi ishte një aleat, por jo një gur shahu i Iranit dhe, sipas tyre, i tradhtoi”, vlerëson eksperti ushtarak izraelit Eido Hecht.

Nga ana tjetër, një burim diplomatik perëndimor i përfshirë në çështjen e Gazës thekson se mungesa e referencave për enklavën palestineze në marrëveshjen SHBA-Iran nuk do të thotë se lufta ka përfunduar, por se aktualisht nuk ekziston një zgjidhje politike e besueshme për të ardhmen e territorit.

Në terren, situata mbetet e bllokuar. Kriza humanitare vazhdon, ndërsa rreth 60% e territorit të Gazës mbetet nën kontrollin e ushtrisë izraelite.

Qeveria izraelite kërkon çarmatimin e plotë të Hamasit përpara çdo diskutimi politik, ndërsa lëvizja palestineze refuzon të dorëzojë armët pa garanci për krijimin e një administrate alternative palestineze.

Sipas raportit, në Kajro po zhvillohen kontakte mes përfaqësuesve palestinezë, përfshirë zyrtarë të Hamasit, të dërguarve të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, si dhe përfaqësuesve të Katarit dhe Turqisë, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.

Një burim i përfshirë në këto bisedime tha për AFP-në se po bëhen “përpjekje të mëdha”, por pranoi se procesi mbetet i vështirë.

Edhe Hugh Lovatt thekson se negociatat po ecin përpara, por shton se palët janë ende shumë larg një marrëveshjeje për rindërtimin e Gazës.

Ndërkohë, frika për rifillimin e luftës mbetet e lartë. Sulmet ajrore izraelite dhe përplasjet sporadike nuk kanë pushuar plotësisht, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vazhdon të kërcënojë me çarmatimin e Hamasit me forcë.

Media izraelite kanë raportuar se po shqyrtohen plane për një ofensivë të re ushtarake kundër Hamasit gjatë kësaj vere.

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se Izraeli ka hapësirë të kufizuar veprimi për shkak të angazhimeve ushtarake dhe presionit nga aleati i tij kryesor, Shtetet e Bashkuara, të cilat synojnë të shmangin një përshkallëzim të ri në Lindjen e Mesme.

Sipas analistit Michael Milstein, Izraeli mund të detyrohet të pranojë një proces gradual të çarmatimit të Hamasit dhe një skemë tranzicioni politik. Megjithatë, ai paralajmëron se, me zgjedhjet parlamentare izraelite që afrohen në fund të tetorit, nuk përjashtohet mundësia që qeveria e Netanyahut të zgjedhë një ofensivë të re ushtarake.

Top Channel