Kolumbia kalon ligjin ambicioz kundër ushqimeve të procesuara për të ndaluar sëmundjet e ‘stilit të jetesës’ (fotot)

10/11/2023 17:30

Vendi latino-amerikan është i pari që nis “taksën e shëndetit” ndaj ushqimeve ultra-të procesuara, të mbushura me sheqer, kimikate prezervuese dhe pesticide.

Një ligj i ri në Kolumbi e ka berë atë vendin e parë në botë që takson ushqime e gatshme të paketuara e procesuara, për të cilin aktivistët dhe ekspertët e shëndetit thonë se duhet të jetë një shembull dhe për vende të tjera.

Pas disa viteve fushatë të aktivistëve kundër “ushqimeve të këqija” prej këtij muaji hyn në fuqi taksa e re fillimisht me 10%, duke u rritur më pas në 15% e 20% deri në 2025.

“Vendet në të gjithë botën po vendosin taksa shëndeti, si ato ndaj duhanit dhe pijeve me sheqer, por kjo është zgjeruar dhe për ushqimet e procesuara”, tha eksperti britanik Franco Sassi, i cili shtonte: “Modeli i Kolumbisë duket i kushtueshëm më shumë nga të tjerët, por duhet të shërbejë si një shembull për praktika në vende të tjera”.

Taksa i vendoset ushqimeve ultra-të procesuara, të prodhuara në mënyrë industriale, me nivel të lartë kripe, prezervuesish e sheqernash të ngopur, siç janë patatinat, biskotat e çokollatat.

Sassi shtonte se janë arritur disa kompromise me industrinë e fuqishme të ushqimit, si për shembull përjashtimi i salsiçeve.

Dieta tipike në Kolumbi është e lartë me produkte që stimulojnë sëmundje kardiovaskulare dhe shumë njerëz në vend vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut, shkruan rrjeti britanik TheGuardian.

Të tjera sëmundje të lidhura me dietën dhe ushqimet që konsumojmë janë diabeti, që kontribuon në më shumë se një të tretën e vdekjeve te personave nën 70 vjeç.

“Ne duam të evitojmë rrugën e vendeve të industrializuara si SHBA, ku sëmundjet e lidhura me dietën janë kthyer në një problem serioz”, tha Beatriz Champagne, e aktivistëve të Kolicionit të Shëndetit në Amerikën Latine. “Amerika Latine është më përpara në këtë aspekt.”

Ndërsa Sassi shtonte: “E mira në Kolumbi është se taksa shoqërohet me rregulla strikte të etiketimit të produkteve për përmbajtjen e tyre”.

Kjo vjen pas lëvizjeve të ngjashme në Ekuador e Peru, ku udhëzime të detyrueshme shëndetësore duhet të vendosen në pakot e ambalazhit si për sheqernat apo yndyrnat e ngopura.

Aktivistët thonë se kanë hasur opozicion të fortë nga industria e ushqimit dhe e pijeve, para arritjes së ligjit.

Aktivistja e konsumatorëve Esperanza Cerón Villaquirán tha se për taksën është bërë fushatë prej vitit 2015: “Ne kemi vuajtur çdo lloj sulmi dhe censure për aktivizmin tonë, në rang institucional dhe personal, por qëndruam gjithmonë vigjilentë dhe rezistuam për të mirën tone e te konsumatorëve”.

“Objektivi i industrive të ushqimit nuk është mirqenia e njerëzve por fitimet, dhe kjo do të thotë se prodhuesit nuk e vrasin mendjen nëse me ushqimet e tyre konsumatorët do të sëmuren apo do të vdesin”, tha Champagne. /TheGuardian/

FOTO GALERI
1/3
Taksa i vendoset ushqimeve ultra-të procesuara, të prodhuara në mënyrë industriale, me nivel të lartë kripe, prezervuesish e sheqernash të ngopur, siç janë patatinat, biskotat e çokollatat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA