Grumbullimi i fundit “Kuqezi”/ Lista Sylvinho nuk ndryshon, mungon Broja dhe Mihaj, Muçolli emri i ri

10/11/2023 12:01

Shqipëria përgatitet për sprintin final të përmbylljes së një prej fushatave më të suksesshme të eliminatoreve të Evropianëve, Botëroreve apo edhe Ligës së Kombeve.

Asnjëherë më parë Shqipëria nuk ka mundur të jetë në vend të parë në fushata e aktiviteteve madhore dhe ka një shans shumë të mirë me dy ndeshje nga fundi, me Moldavinë më 17 nëntor në Kishinau dhe Ishujt Faroe më 20 nëntor në Tiranë.
Me 4 fitore 1 barazim dhe 1 humbje kuqezinjtë kryesojnë Grupin E me 13 pikë dhe i mjafton një pikë që matematikisht të sigurojnë kualifikimin për në finalet e Evropianit “Gjermani 2024”. Deri sigurimin zyrtarë të këtij kualifikimi trajneri Sylvinho nuk ka ndërmend të flasë për atë çka do ta presë Shqipërinë në finalet e ardhshme të aktivitetit më të madh evropian futbollistik dhe si rrjedhojë gjithçka mbetet në përgatitjet për një fund sa më të mirë të kësaj fushate eliminatore, duke filluar nga ndeshja e radhës që do të jetë ajo me Moldavinë në transfertë.

Siç raporton gazetari i Top Channel, Endi Tufa, në listën e publikuar për këtë grumbullim të fundit të kombëtares nuk ka shumë ndryshime, tashmë ekipi duket i konsoliduar dhe të gjithë lojtarët që kanë qenë pjesë deri më tani me ekipin kanë pasur një performancë shumë të mirë. Si rrjedhojë në listën e publikuar prej Silvinjos bie në sy vetëm mungesa e Armando Brojës dhe Enea Mihaj, të dy lojtarët me probleme fizike dhe që janë lënë jashtë për arsye sigurie, ndërkohë që i vetmi emër i ri i afruar është Arbnor Muçolli. Një emër që nuk ka qenë ndonjëherë i grumbulluar me trajnerin e ri të përfaqësueses, por që duket të jetë mes lojtarëve që ai simpatizon dhe ka mbajtur nën vëzhgim prej kohësh.


Pjesa tjetër e listës mbetet e njëjtë si për të treguar se tashmë kuqezinjtë e kanë një grup prej 24-25 lojtarësh të cilët na sollën deri në këtë pikë dhe me shumë gjasë do të jenë edhe pjesë e listës përfundimtare të finaleve të evropianit, duke përjashtuar ndonjë dëmtim.
Nga pasditja e së dielës zyrtarisht do të fillojë grumbullimi i ekipit kombëtarë ndërkohë që të hënën ekipi do të kompletohet me të gjithë lojtarët pas përfundimit të ndeshjeve me klubet respektive.

FOTO GALERI
7/15

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA