Klubeve i bllokohet merkato! Komisioni i disiplinës penalizon Tiranën, Dinamon dhe Skënderbeun

09/11/2023 20:03

Merkato e Tiranës, Dinamos dhe Skënderbeut është bllokuar nga FSHF-ja dhe kjo për shkak të mos pagimit të detyrimeve që kanë klubet.

Kjo është hera e parë që vetë Federata shqiptare e Futbollit ka bllokuar merkaton e një ose më shumë klubi shqiptar, pasi këto vendime më parë janë marrë nga FIFA.

Përmes Komisionit të Disiplinës, Federata ka paralajmëruar klubet se në rast mospagimi të detyrimeve, do të përballeshin me pasoja të komisionit disiplinor, ku e shkruar është edhe pezullimi merkatos.

UEFA ka ndryshuar kriteret e saj të licencimit të klubeve, gjë që do të thotë se nuk do t’i jepet më licencime europiane klubeve që kanë detyrime ndaj palëve të treta. Kjo gjë rrezikon kështu Tiranën dhe Dinamon, të cilat edhe nëse arrijnë një vend në Kupat Europiane, sërish nuk do të mund të luajnë aty.

Po për këtë arsye ditën e sotme në Limasol të Qipros ndodhen Eduard Gjini, Menaxher i Licensimit të klubeve në FSHF dhe Rinela Gjata, Kryetarja e Komisionit të Licensimit të klubeve ku diskutohet rreth ndryshimeve në rregulloret e licensimit.

Top Channel