Ekipi i Ilir Dajës kërkon revanshin në Kazakhistan pas humbjes në Prishtinë
Skuadra Ballkani nga Suhareka e Kosovë ka udhëtuar prej dytë ditësh drejt Kazakistanit për të vazhduar rrugëtimin e tyre të fazës së grupeve të Konference League, pasi do t’i duhet të përballet me vendasit e Astanës.
Në ndeshjen e fundit ishin kazakët që fituan në ndeshjen e zhvilluar në Prishtinë, pikërisht në stadiumin “”Fadil Vokrri” dhe të besuarit e trajnerit Ilir Daja do të kërkojnë t’i kthejnë “reston”, pikërisht në shtëpinë e tyre.
Nga kjo sfidë do të varet shumë edhe fati i kualifikimit për Kampionët e Kosovës që aktualisht renditen të fundit në Grupin C me tre pikë. Nga ana tjetër, tre pikë ka edhe Astana ndërsa pjesë e grupit janë edhe Dinamo Zagreb po me tri pikë ndërsa kryeson Viktoria Plzen me nëntë pikë që është e vetmja skuadër që ka siguri përsa i takon kualifikimit.
Për Ballkanin pritet të jetë një ndeshje e komplikuar ashtu siç e paralajmëroi edhe trajneri Daja në konferencë për shtyp. Pavarësisht mungesës së tifozërisë së zjarrtë që e ka shoqëruar skuadrën shqiptare në këto ecuri pozitive në kupat e Europës, Ballkani ka ditur gjithmonë të bëjë paraqitje dinjitoze në Europë dhe besimi është i madh se Kampionët e Kosovës mund t’ia dalin sërish për të gëzuar të gjithë publikun shqiptar.
Sfida mes Astanës dhe Ballkanit është programuar të nisë në orën 16:30 dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në Digitalb në kanalin SuperSport 2.
Top Channel