“Petro Nini Luarasi” shpallet gjimnazi më i mirë publik në Tiranë për vitin shkollor 2022-2023, ndërsa nga shkollat 9-vjeçare shtetërore kupën e merr “Misto Mame”.
Zyra Vendore Arsimore e kryeqytetit ka publikuar renditjen e institucioneve arsimore parauniversitare sipas performancës e bazuar në disa tregues si kualifikimet e mësuesve, përqindja e mungesave në raport me pjesëmarrjen e nxënësve, nota mesatare e shkollës, përqindja e nxënësve kalues në maturën shtetërore e provimet e lirimit, diferenca e notës mesatare me provimet kombëtare, sondazhi i prindërve, etj.
Në krahasim me një vit më parë, nga rankimi kanë zbritur gjimnazi “Sami Frashëri” i cili nga kryesimi mban vendin e tretë, ndërsa shkolla e mesme “Qemal Stafa” vazhdon të qëndrojë në vendin e dytë. Ndërsa në shkollat 9 vjeçare “Fan Noli” nga vendi i parë në performancën e vjetshme, ka rënë në vendin e dytë. Ajo që vihet re nga ky studim i Ministrisë së Arsimit është fakti se shkollat e zonave rurale renditen në përgjithësi në vendet e fundit, ku si më pak e mira nga shkollat 9-vjeçare publike vlerësohet “Ymer Lala” në Surrel, ndërsa nga gjimnazet vendin e fundit e mban shkolla e mesme Shëngjergj.
Ky rankim kryhet çdo vit pas përfundimit të provimeve kombëtare, i cili vërteton edhe njëherë nevojën për të siguruar arsim cilësor e të barabartë si në fshat edhe në qytet.
Top Channel