Një major i ushtrisë së Ukrainës ka vdekur pasi aksidentalisht u hodh në erë nga një granatë që kishin sjellë për ditëlindje.
Hennady Chastyakov, këshilltar i kreut të ushtrisë së Ukrainës, u kthye dje në shtëpi me dhuratat e ditëlindjes që kishte marrë nga kolegët.
Mes tyre ishte dhe një kuti me granata të prodhimit perëndimor, të cilat ai nisi ‘t’ia tregonte’ të birit, njoftonte ministri i brendshëm i Ukrainës në një mesazh.
“I biri kishte marrë municionin në dorë dhe nisi të përdridhte unazën, por ushtaraku ia mori nga dora duke bërë që unaza e sigurisë të tërhiqej duke shkaktuar shpërthimin tragjik”, shpjegonte Klymenko në rrjetet sociale.
Fillimisht besohej se granata ishte ‘e kurdisur’ për një tentativë të qëllimshme atentati, por Kievi konfirmoi se nuk ishte kështu dhe se Chastyakov ishte vrarë në një rast aksidental.
Klymenko tha se ishin identifikuar kolegët që i kishin bërë dhuratën vrasëse dhe të tjera granata të të njëjtit tip ishin gjetur në zyrën e tij.
Ndërkohë pesë granata të tjera të pashpërthyera në shtëpinë e Chastyakov u dërguan për ekzaminime, tha zyrtari.
Kreu i ushtrisë së Ukrainës, Valery Zaluzhnyi shprehu ngushëllimet për familjen e Chastyakov, duke shpjeguar se ‘një objekt i panjohur kishte shpërthyer mes dhuratave të tij’.
E përditshmja vendase Ukrainska Pravda tha se i biri 13 vjeçar i Chastyakov ka mbetur i plagosure rëndë në incident.
39 vjeçari Chastyakov, ishte diplomuar në akademinë ushtarake dhe ishte i stërvitur në përdorimin e granatave.
Zaluzhnyi njihej si ushtarak aktiv në luftën tashmë 20 mujore të Ukrainës me Rusinë, ndërsa muajin që shkoi ai kishte shkruar një artikull ku bënte thirrje për ndihma ushtarake nga Perëndimi pasi thoshte se periudha e qetësisë po i jep avantazh Rusisë.
Top Channel