Të nënshkruara apo jo, marrëveshjet që Kosova dhe Serbia kanë arritur janë detyrim ligjor për të dyja palët: Firma, theksoi I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar nuk ndikon në detyrimin që Prishtina dhe Beogradi kanë për t’i zbatuar ato.

Zyrtari i lartë amerikan nuk mund të ishte më i drejtpërdrejtë se kaq. Në takimin e fundit me udhëheqësit evropianë në Bruksel, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë projektstatutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Presidenti serb Aleksandar Vuçiç bëri të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de-facto të Kosovës.

I pyetur se si do të vazhdohet më tej pas këtyre qëndrimeve, Escobar pohoi për VOA-n se këto dy deklarata nuk pasqyrojnë realitetin pasi ato marrëveshje janë të ligjërisht të detyrueshme, gjë që të dy udhëheqësit e kanë pranuar tashmë.

I dërguari i Washingtoni shtoi se të dy udhëheqësit e kanë marrë këtë angazhim përpara Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara dhe se palët kanë detyrime specifike për të ndërmarrë, në rrugën drejt normalizimit; Kosova Asociacionin dhe Serbia njohje e dokumenteve doganore të Kosovës, targave, letërnjoftimeve e të tjera si këto.

Për Escobarin tashmë ka mbetur vetëm koha dhe mënyra sesi do ti zbatojnë të dyja palët detyrimet e tyre. Ai kujtoi dhe dorëheqjen e shefit të Agjencisë Serbe të Zbulimit (BIA) Aleksandar Vulin, të cilin e përshkroi si një figurë jashtëzakonisht destabilizuese në rajon për një kohë të gjatë, gjë mbi të cilën u bazuan edhe sanksionet amerikane.

Top Channel