Emisioni Fiks Fare solli mbrëmjen e të premtes rastin e fëmijëve në fshatin Bukaq të Kavajës, të cilët kanë tre muaj që shkojnë në shkollë në këmbë pasi nuk kanë transport.
Fëmijët e fshatit Bukaq çdo ditë bëjnë 1 orë e 10 minuta në këmbë për të shkuar në shkollë e cila ndodhet në fshatin Synej.
Më parë fëmijët e këtij fshati kanë qenë të pajisur me furgon, por shoferi nuk pranon që të vijë më sepse kërkon që pagesa mos t’i jepet nga prindërit veç e veç, por o direkt nga zyra arsimore ose një person i vetëm që t’ua mbledh prindërve. Deri më sot nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët.
Gazetarët e Fiksit shoqëruan një ditë të zakonshme shkolle këta fëmijë, duke parë nga afër rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të tyre.
Fëmijët janë të moshës 4 deri 15 vjeç. Fëmijët e moshës 4 vjeç që ndjekin parashkollorin lodhen nga rruga e gjatë, për këtë arsye fëmijët e tjerë detyrohen që t’i mbajnë në kurriz.
Gjatë rrugës ata shprehin shqetësim për qentë e rrugës, makinat që ecin shpejt dhe se çantat janë shumë të rënda, gjë që ju vështirëson më shumë ecjen për në shkollë.
Për Fiksin prindërit shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me transportin edhe pse janë të gatshëm të vazhdojnë të paguajnë për të pa u rimbursuar.
Shoferi i furgonit nga ana tjetër shprehet se është i gatshëm të ribëjë rrugën nëse pagesa do t’i jepej e gjitha nga një person apo institucioni.
Fiksi ju drejtua Zyrës Arsimore Kavajë dhe Bashkisë së Kavajës për problemin e fëmijëve, por që institucionet ia delegojnë fajin njëra – tjetrës. Dhe në këtë mënyrë asnjëra nuk jep një përgjigje për këta fëmijë, se për zgjidhje as që bëhet fjalë.
Top Channel