Helmoi për vdekje partnerin me antifrizë, historia bën kthesë: Trashëgimia prej 30 milion $ ishte mashtrim

02/11/2023 09:07

Historia e vrasjes së një 51-vjeçari nga partnerja e tij në SHBA, ka marrë kthesë tjetër.

Dje në mediat e huaja u tha se gruaja helmoi për vdekje partnerin, disa orë pasi ai mësoi se kishte trashëguar 30 milion dollarë. Sipas New York Post, Edward Riley Jr u sëmur menjëherë pas takimit që pati me avokatin e tij, për një çështje trashëgimie prej 30 milionë dollarësh.

Por deklarata e djalit të viktimës, ka ndryshuar rrjedhën e ngjarjes. 21-vjeçari tregoi për New York Post se “trashëgimia” ishte një mashtrim. Sipas tij babai kishte marrë një e-mail nga një person që pretendonte se ishte avokat i një të afërmi të panjohur të largët, i cili i kërkoi atij të takohej në një aeroport, për të nënshkruar dokumentet e pretenduara të trashëgimisë.

“Ai nuk dyshoi për asgjë, madje ishte i sigurt që kishte trashëguar para dhe se do i merrte nga avokat. Pasi shkoi në aeroport, avokati nuk u shfaq kurrë. Ishte një mashtrim. Ai ishte një i panjohur që e bindi babanë tim se gjithçka ishte e vërtetë”, u shpreh 21-vjeçari.

Sipas tij, i ati kishte planifikuar të blinte tokë, një pjesë të së cilës do t’ua jepte dy fëmijëve të tij dhe më pas donte të hapte një dyqan me pjesë makinash.

Steven Edward Riley Jr dyshohet se u helmua nga partnerja e tij 47-vjeçare, Thea Kenoyer, me një kimikat që gjendej në antifrizë, të cilin ajo ia dha një ditë para se 51-vjeçari të takohej me ‘avokatin’.

Sipas 21-vjeçarit edhe Kenoyer e kishte besuar mashtrimin dhe ky ishte motivi i saj për ta vrarë. “Ata nuk ishin shumë të lumtur dhe babai im kishte kohë që mendonte të hiqte dorë nga ajo. Ai nuk kishte punuar kurrë, ishte gjithmonë i mërzitur dhe nuk bënte asgjë”, u shpreh 21-vjeçari.

Canoyer u tha oficerëve se ajo kishte të drejtë në pasurinë e Riley dhe planifikonte të ndante 30 milionë dollarët mes djalit të saj. Riley dha frymën e fundit në spital ku u dërgua një ditë pasi u helmua. Në fillim u mendua se shkaku i vdekjes së tij ishte arresti kardiak, por pas kryerjes së autopsisë u zbulua se viktima ishte helmuar.

Policia që kontrolloi shtëpinë e çiftit, gjeti një shishe me antifrizën e përdorur për helmimin, ndërsa gjurmë të substancës u gjetën në një shishe birre dhe një filxhan plastik të zbuluar në garazh.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA