Ka startuar sot kampionati i shkollave 9-vjeçare për vajza në Shtëpinë e Futbollit, një aktivitet që nis kështu edicionin e pestë dhe zhvillohet në disa qytete të Shqipërisë.
Në ceremoninë hapëse të këtij ishin të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku dhe Zv.Ministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, ndërkohë që tribunat e fushës në Shtëpinë e Futbollit ishte e mbushur me vajza dhe djem nga shkollat pjesëmarrëse në këtë kampionat.
“Jam shumë i lumtur sot që marrim pjesë te ky kampionat i shkollave 9-vjeçare të vajzave. Do falënderoja pa diskutim Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur gjithë këto vitet e fundit. Ju e dini shumë mirë që futbolli i vajzave në Shqipëri këto vitet e fundit është zhvilluar. Kemi ekipe kombëtare nga U15-ta, U17-ta, U19-ta dhe ekipi A. Unë do t’u thoja të gjithë klubeve të futbollit, akademive të futbollit, t’i hedhin sytë nga kampionatet e shkollave 9-vjeçare, për vajza dhe për djem, sepse jam i bindur që do të gjejnë element“- shprehet sekretari i përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku.
Ndërsa, zv.Ministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, u shpreh se futbolli i vajzave po zgjon çdo ditë e më shumë interes dhe i ftoi të gjithë nxënësit e shkollave që të angazhon sa më shumë me futboll.
“Realisht shikoj një pjesëmarrje shumë të madhe. Falënderojmë edhe nxënësit e shkollave që kanë ardhur për të parë ekipet e tyre. Unë doja të falënderoja bashkëpunimin e mirë që ka ministria me Federatën e Futbollit, por gjithashtu edhe me UEFA-n, përmes së cilës kemi këtë projekt. Është viti i pestë që po zhvillohet, por për shkak të pandemisë me një ndërprerje ne po e fillojmë me katër ekipet, për të arritur deri në finale”-shprehet zv.ministri i Sportit, Endri Hoxha.
Pas ceremonisë hapëse u luajtën edhe dy ndeshjet e para të kampionatit në Tiranë e më konkretisht u ndeshën shkollat “28 Nëntori” kundër shkollës “Kristaq Rama” dhe shkolla “Musine Kokalari” me shkollën “Bedri Llagami”. Në Tiranë janë regjistruar në këtë kampionat skuadrat e 20 shkollave, ndërsa në rang kombëtar janë aktualisht 57 shkolla pjesëmarrëse.
Top Channel