Dy avokatet falas, Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia kanë kaluar pragun e Gjykatës Antikorrupsion dhe kanë hyrë në sallën ku do të mbahet procesi me dyer të mbyllura ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha.
Dy avokatet që do përfaqësojnë Berishën kanë studiuar aktet për mbi katër orë.
Për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, avokatja Jalldiz Kastrati tha se: Jam në zhvillim e sipër të dy seancave.
Gjykata u la kohë mbrojtësve për t’u njohur me aktet e procedimit penal të fazës së hetimit paraprak, të përcjella nga ana e Prokurorisë së Posaçme dhe për këtë arsye ndërpreu shqyrtimin gjyqësor gjatë paradites së kësaj të enjteje.
Sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha, sekretaria ka telefonuar një numër të lartë avokatësh të cilët janë justifikuar se e kanë të pamundur, se agjenda e tyre ishte e zënë me çështje të tjera penale, derisa është mbërritur në listën emërore të përcaktuar.
15 minuta para nisjes së procesit, Gjykata e Posaçme Antikorrupsion njoftoi përmes zyrës së shtypit se kërkesa për largimin e Irena Gjokës nga drejtimi i seancës ka mbërritur në sekretariatin e gjykatës.
Top Channel