Presidenti egjiptian Abdel Fatah Al-Sisi bëri sot një parakalim mes qindra tankeve të rreshtuara në shkretëtirën e Suezit, në një shfaqje të papritur force, para takimit me presidentin francez Macron, dhe në kohën e konfliktit brutal në Palestinën fqinje.
“Ne kërkojmë bashkëpunim, i kërkojmë partnerëve të përmbajnë përshkallëzimin e situatës”, tha ai në lidhje me bombardimet izraelite në Gaza që kanë vrarë mijëra civilë.
“Në lidhje me zhvillimet në Rripin e Gazës më lejoni të them se po luajmë një rol pozitiv në ndalimin e përshkallëzimi dhe qetësimin e situatës për të arritur te armëpushimi”, tha Sisi pasi kaloi para dhjetra skuadrave me tanke, të rreshtuara në lindje të gadishullit Sinai.
Më pas në takimin me presidentin Emmanuel Macron al-Sisi bëri thirrje për rikthimin e procesit të paqes dhe sigurimin e ndihmave humanitare për Gazën.
Macron, i cili erdhi në Kairo pas vizitës së djeshme në Izrael, tha se Franca nuk përdor “standarde të dyfishta” dhe se “ligji ndërkombëtar aplikohet për të gjithë njëlloj”, pas akuzave të vendeve arabe për heshtje ndaj lëndimit të palestinezëve.
Egjipti e Jordania ishin vendet e para që vendosën lidhje diplomatike me Izraelin respektivisht në vitet 1979 e 1994 e prej atëherë kanë luajtur role ndërmjetësimi në krizat luftërave të shtetit hebre.
Në konferencën e shtypit Sisi tha se bashkë me Macron diskutuan rëndësinë e “shmangjes së pushtimit tokësor, prej viktimave të shumta që do të shkaktonte”.
Pas më shumë se dy javë bombardimesh dhe rrethim nga ushtria e Izraelit, shëndetësia në Gaza është thuajse e falimentuar dhe spitalet po mbeten pa materialet bazë dhe pa karburant për gjeneratorët.
Macron tha sot se Franca po dërgon një anije furnizimesh mjekësore për në Gaza dhe avionë me mjekime për të dërguar me pas me kamionë në zonën e konfliktit.
Pika kufitare e Rafah me Egjiptin është e vetmja në Palestinë që nuk kontrollohet nga Izraeli.
Macron mes te tjerash mbështeti thirrjen e Sisi për zgjidhjen “me dy shtete të konfliktit”.
Top Channel