Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri janë rritur pas forcimit të lekut, duke arritur vlerën e 12.38 miliardë eurove në gjysmën e parë të vitit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, Stoku i Investimeve të Huaja Direkte është rritur me 11.9% ose rreth 1.3 miliardë euro që nga fillimi i vitit. Rritja e stokut të investimeve direkte gjatë kësaj periudhe është ndjeshme më e lartë krahasuar me flukset e reja të këtyre investimeve.
Në 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e Investimeve të Huaja Direkte arriti në 686 milionë euro. Flukset e reja të investimeve të huaja direkte janë afërsisht sa gjysma e rritjes së stokut për të njëjtën periudhë. Këto shifra përfaqësojnë një paradoks, por, sipas Bankës së Shqipërisë, kjo diferencë lidhet me metodologji të ndryshme që përdoren në matjen e flukseve të reja dhe stokut të investimeve të huaja direkte.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ndryshimet në stok nuk kanë ardhur domosdoshmërisht vetëm nga flukset, por në ecurinë e stokut duhet llogaritur edhe ndryshimet nga kursi i këmbimit, ndryshimet nga çmimi dhe ndryshimet e tjera. Kjo nënkupton se stoku i investimeve të huaja rivlerësohet në mënyrë periodike, duke reflektuar edhe ndryshimin e çmimit të aseteve.
Këtë vit, mbiçmimi i lekut është shpejtuar ndjeshëm. Aktualisht, kursi i këmbimit Euro-Lek paraqitet në rënie vjetore me afërsisht 10%, ndërsa në momentin më të ulët, në muajin korrik të këtij viti, rënia e kursit arriti në 14%. Kursi i këmbimit ndikon jo vetëm stokun, por edhe flukset e reja të investimeve të huaja direkte.
Top Channel