Isa Tare, i cili ka drejtuar Klubin e Partizanit nga viti 1995-2005 në dëshminë e dhënë në Prokurorinë e Posaçme Anti Korrupsion, pretendon se kur Sali Berisha erdhi në krye të qeverisë, iu propozua një hyrje nëse jepte dakordësinë që zona ku ndodhej kompleksi sportiv t’i kalonte ish-pronarëve.
Tare ka qenë edhe inspektor për sportet bazë dhe sportist i Partizanit nga viti 1958-2005. Ai ka treguar se si grupi i futbollit, rreth vitit 1989 u lidh me italianët dhe kaloi në varësi të tyre.
Më pas, Klubi i Futbollit u bë shoqëri aksionere me president Bert Xhanin. Kështu nga financimi nuk bëhej më nga Ministria e Mbrojtjes, por nga Xhani.
Isa Tare pretendon se me ardhjen e Sali Berishës në pushtet, në vitit 2005, u hoq padrejtësisht nga puna.
“Më ka thirrur një shefe në Kryeministri dhe më sugjeroi të bëheshin shoqëri aksionere. Nuk pranova se nuk kishim ku gjenim fondet se ishin 300-400 sportistë dhe 60 vetë me rrogë mujore që paguheshin nga Ministria e Mbrojtjes”, thuhet në dosjen e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha.
Sipas tij, ish-pronarëve që iu rikthyen pronat, janë shpërblyer nga italianët vite më parë dhe dokumentet janë në Firence. Tare pretendon se para se të shkarkohej, një nga ish-pronarët, emri i të cilit nuk i kujtohet, i ka premtuar një hyrje në ndërtesat që do të bëheshin në territor, nëse do të binte dakord që ish-pronarët ta merrnin pronën.
SPAK ka pyetur më tej Afrim Tolen, i cili zëvendësoi në detyrë Isa Tare dhe drejtoi Klubin nga viti 2006 deri në vitin 2008. Ai ka dëshmuar se i gjeti ambientet e Klubit në kushtet aspak të mira dhe punoi, me me ndihmën e disa miqve, për rregullimin e palestrave. Sipas tij, Klubi i Futbollit ka pasur vetëm një godinë katër katëshe dhe “nuk i kujtohet të ketë pasur ndonjë godinë tjetër”.
Top Channel