Dy vatra zjarri në hyrje të Peqinit, era e fortë favorizon përhapjen e flakëve, kërkohet ndërhyrje nga ajri

05/10/2026 16:35

Dy vatra të tjera zjarri janë shfaqur mesditën e sotme në afërsi të hyrjes së qytetit të Peqinit, përgjatë aksit kombëtar Rrogozhinë–Peqin–Elbasan, duke krijuar një situatë shqetësuese për zonën.

Flakët janë përhapur me shpejtësi në një kohë relativisht të shkurtër, të favorizuara nga era që mbizotëron në zonë. Zjarri po përparon në sipërfaqe me bimësi, ndërsa afërsia me rrugën kombëtare e bën situatën edhe më të ndjeshme për lëvizjen e mjeteve dhe sigurinë e qytetarëve.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë përmasa të konsiderueshme të flakëve dhe një situatë që kërkon ndërhyrje të shpejtë për izolimin e vatrave dhe shmangien e përhapjes së tyre drejt sipërfaqeve të tjera.

Ngjarja e sotme vjen pas një jave të vështirë për zonën e Peqinit, ku zjarret kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në ullishta, ara me pemë frutore dhe vreshta, duke përshkuar dhjetëra hektarë tokë në të paktën pesë fshatra të Bashkisë Peqin.

Top Channel