Do të ndihmonte një person me “arrest shtëpie” të largohej nga banesa, arrestohet në flagrancë punonjësi i Policisë në Elbasan

05/10/2026 16:40
Foto Ilustruese

Një punonjës i Policisë është arrestuar në flagrancë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi dyshohet se kishte marrë para për të favorizuar një person nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Bëhet fjalë për Inspektor Çlirim Torrën, me detyrë Specialist i Policisë së Zonës pranë Stacionit të Policisë Prrenjas, në varësi të Komisariatit të Policisë Librazhd dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.

Sipas hetimeve të zhvilluara nga AMP, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, dyshohet se punonjësi i Policisë ka marrë një shumë parash me qëllim favorizimin e shtetasit me inicialet A.R., ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest shtëpie”.

Dyshohet se përmes veprimeve të tij, punonjësi i Policisë do t’i mundësonte shtetasit A.R. të shkelte masën e sigurisë dhe të largohej nga banesa.

Në përfundim të veprimeve hetimore, ndaj Inspektor Çlirim Torrës rëndojnë dyshimet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Procedurat janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ndërsa hetimi vijon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e përgjegjësive të personave të përfshirë.

AMP deklaron se do të vijojë me zero tolerancë ndaj korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe çdo veprimi që cenon integritetin e punonjësve të strukturave ligjzbatuese.

Top Channel