Temperaturat e larta, era e jugut dhe dallgët e Adriatikut kanë krijuar kushtet e duhura për të shijuar shëtitjet dhe fotot buzë detit këtë fundjavë tetori, në Durrës.

Shëtitorja bregdetare “Taulantia” dhe zona e plazhit janë frekuentuar nga qytetarë të shumtë këtë të shtunë.

Temperaturat që variojnë nga 26-28 gradë Celsius janë shfrytëzuar jo vetëm nga vendasit, por edhe të huajt për të shijuar një tjetër panoramë të qytetit bregdetar në vjeshtë.

Ndërkohë lundrimet vijojnë të jenë të pezulluara dhe gjatë ditës së sotme. Kapiteneria e portit detar të Durrësit bën me dije për TCh se situata detare vazhdon të jetë e rënduar dhe deti regjistron forcën 6-7 ballë. Tragetet e linjës Durrës-Bari dhe a anasjelltas pritet që të rinisin lundrimet natën mes së shtunës dhe të dielës, pas një pezullimi të përkohshëm 24 orësh. Edhe anijet e peshkimit parashikohet të dalin për gjueti në det të dielën pas qetësimit të motit në det të hapur.

Ndërkaq dallgët e forta kanë nxjerrë në breg përgjatë shëtitores bregdetare dhe plazhit edhe mbetje të shumta plastike dhe urbane, të cilat pritet të hiqen nga ndërmarrjet e pastrimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA