Mbërrijnë armatimet amerikane në Izrael, ministri vendas: Beteja do të jetë e ashpër

19/10/2023 22:43

“Beteja do të jetë e ashpër”, kështu u shpreh ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant, gjatë një interviste, duke paralajmëruar se do ta çojnë deri në fund misionin e tyre, duke i dhuruar vendit të tij fitoren në betejën e ashpër kundër militantëve të Hamasit.

Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes së Izraelit mori së fundmi një aeroplan mallrash nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mbante ngarkesën fillestare të automjeteve të blinduara për përdorim nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit.

Tensionet Izrael-Hamas vijojnë ende, ndërkohë një tjetër militant është vrarë së bashku me familjarët e tij në Gaza. Komandanti Jihad Muheisen i Forcave Kombëtare të Sigurisë, u vra gjatë bombardimeve në shtëpinë e tij nga forcat izraelite.

Izraeli ka vijuar ofensivën e saj, duke bombarduar zona të ndryshme në Rripin e Gazës, njëkohësisht as militantët e Hamasit nuk kanë qëndruar të heshtur duke iu kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë.

Tashmë bombardimet janë fokusuar në Rafah, aty ku prej ditësh ka pasur breshëri të vazhdueshme me raketa, situatë që po rëndon bilancin e viktimave. Deri më tani numri i viktimave është më shumë se 3700, ndërsa spitalet janë mbushur plot me të lënduar.

 

Top Channel