Policia greke në bashkëpunim me DEA-n Amerikane dhe forcat speciale greke EKAM, sekuestruan 58 pako me 67 kilogramë kokainë në Portin e Pireut.
Sipas gazetës greke Prototema, droga vinte nga Amerika Latine përmes kontejnerëve dhe ishte e destinuar për një grup kriminal shqiptar.
Kokaina e paketuar ruhej në ngrirëset e kontejnerëve deri sa të importoheshin në vendet evropiane, përfshirë Greqinë, qoftë si vend destinacioni, apo qoftë si vend tranziti.
Gjatë operacionit në portin e Pireut u arrestuan tre shtetas grekë 31, 36 dhe 41 vjeç. Ky i fundit rezulton të jetë një ish-futbollist në Greqi.
Sipas Protetemës, Karteli i Amerikës Latine dyshohet se iu afrua ish-futbollistit 41-vjeçar dhe dy shtetasve të tjerë grekë duke i punësuar për të nxjerrë drogën nga kontejnerët dhe më pas për t’ia kaluar në zotërim rrjetit të tyre të trafikut.
Ish-futbollisti është pronar i një kompanie riparimi frigoriferësh dhe kishte një kontratë me portin si partner i jashtëm. Punonjësi i tij, ishte 31-vjeçari, me profesion inxhinier frigoriferik, ndërsa 36-vjeçari ishte punonjës i portit dhe përgjegjës për evidentimin e defekteve në sistemet e ftohjes.
Ish-futbollisti ka pasur kontaktet me kartelin që do merrte kokainën, të cilët e kanë informuar për numrin e kontejnerit ku ndodhej ngarkesa. Në momentin që të tre iu afruan kontejnerit, policia ndërhyri dhe bëri arrestimet.
Top Channel