Digjitalizimi i thesareve të Muzeut Britanik do të zgjasë 5 vjet dhe i gjithë koleksioni do të jetë i aksesueshëm në internet për këdo që dëshiron ta eksplorojë atë.
Mark Jones, drejtori i përkohshëm i muzeut, tha se kjo do të “rriste sigurinë” pas vjedhjeve të konstatuara në gusht të këtij viti, që sollën edhe dorëheqjen e drejtorit Hartwig Fischer, i cili pranoi se një pjesë e koleksionit të muzeut nuk gjendej më, pas një hetimi të nisur në vitin 2021.
“Tani jemi të bindur se një vjedhje e këtij lloji nuk mund të ndodhë më kurrë”, tha drejtori i komanduar i muzeut, Mark Jones.
Rreth 2000 thesare mendohet se janë zhdukur nga Muzeu Britanik, por disa prej tyre janë në rrugën e rikthimit në muze.
Një anëtar i stafit të muzeut i dyshuar për përfshirje në vjedhje u shkarkua në fillim të këtij viti që pasoi me dorëheqjen e drejtorit të muzeut, Hartwig Fischer.
Jones tha se procesi i digjitalizimit është një “sipërmarrje e madhe”, që do të kushtojë, sepse do të kryhen mbi 2.4 milionë regjistrime për t’u ngarkuar më pas online.
“Më shumë se gjysma është bërë tashmë dhe kur të përfundojë do të thotë që të gjithë, pavarësisht se në cilin vend të botës jeton, do të mund të shohin gjithçka që ne kemi në muze.”
Muzeu, një nga institucionet kulturore më prestigjioze në Mbretërinë e Bashkuar, ka qenë nën presion që kur zbuloi në gusht se një numër thesaresh u raportuan “të zhdukur, të vjedhur ose të dëmtuar“.
Artefaktet e zhdukura datonin nga shekulli i 15-të para Krishtit deri në shekullin e 19-të pas Krishtit dhe ishin mbajtur kryesisht për qëllime akademike dhe kërkimore.
George Osborne, kryetar i administratorëve, tha të mërkurën se “Muzeu Britanik strehon një nga koleksionet më të pabesueshme në tokë, me objekte që na mahnitin dhe na frymëzojnë, dhe shpesh na inkurajojnë të ndryshojmë perspektivat. Tashmë ne kemi disa nga numrat më të lartë të vizitorëve se çdo muze tjetër në botë, dhe një program të gjerë turesh kombëtare dhe ndërkombëtare”
Top Channel