Takimi i presidentit Begaj me Macronin, diskutime për integrimin europian dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë

17/10/2023 09:51

Presidenti i Republikës Bajram Begaj u takua këtë mëngjes me homologun francez Emmanuel Macron, në vizitën e parë të një Presidenti të Francës në Shqipëri.

Në një deklaratë pas përfundimit të takimit kokë më kokë, Presidenca njofton se integrimi evropian i Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon u diskutuan mes dy udhëheqësve.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen, për mbështetjen e vyer që Franca dhe Presidenti Macron i kanë dhënë e i japin procesit të zgjerimit dhe të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Procesit të Berlinit.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë ishin pjesë e diskutimeve mes Macron dhe Begajt.

Begaj falenderoi presidentin Macron për kontributin në mbështetje të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht përmes planit të quajtur franko-gjerman, duke nënvizuar nevojën e mbështetjes së mëtejshme të këtij dialogu, por edhe të nevojës së dënimit dhe të çkurajimit të akteve të dhunës dhe të provokimeve në komunat e Veriut të Kosovës. “Kosova është vend sovran dhe i pavarur, dhe akte terroriste si ajo e Banjskës në Zveçan, janë të papranueshme e të dënueshme për sigurinë e saj, por edhe të rajonit e të mbarë kontinentit evropian“, thuhet më tej në deklaratë.

Begaj shprehu kënaqësinë e tij se përtej marrëdhënieve të konsoliduara kulturore midis dy vendeve, interesi i madh i kompanive franceze, veçanërisht në fushën e energjisë së rinovueshme, por jo vetëm, po i çon marrëdhëniet në një nivel tjetër, edhe më të lartë.  “Jam besimplotë që projektet e parqeve fotovoltaike në Karavasta dhe Spitallë, do të ndiqen edhe nga projekte të tjera të mëdha nga investitorët francezë“, tha në një mesazh të shpërndarë për mediat Presidenti Begaj.

FOTO GALERI
3/16

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA