Tetë punonjës policie janë proceduar penalisht në 48 orët e fundit, për bashkëpunim me persona të inkriminuar apo “mbyllje sysh” gjatë konstatimit të akteve në shkelje të ligjit.
Lajmi është konfirmuar nga ministri Punëve të Brendshme, Taulant Balla, i cili theksoi se “vijon intensivisht goditja e grupeve kriminale, por edhe procesi i vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit.”
“Forcimi i bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit, Prokurorisë, SPAK, Shërbimit Informativ dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit”– përfundoi Balla.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në një njoftim të mëvonshëm, ka njoftuar se aktualisht janë proceduar vetëm pesë oficerë policie për “shpërdorim detyre”.
“AMP (Rajoni Shkodër-Lezhë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila ka caktuar masën e sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për 5 oficerë policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe konkretisht:
1. Komisar E. P., 55 vjeç, aktualisht me detyrë Shef Seksioni në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, ndërsa më parë ka mbajtur detyrën Shef Seksioni në Komisariatin e Policisë Pukë.
2. Inspektor F. A., 52 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Pukë.
3. Inspektor P. F., 51 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist në Komisariatin e Policisë Pukë.
4. Inspektor Z. M., 50 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Pukë.
5. Inspektor i Parë A. N., 53 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist në Komisariatin e Policisë Pukë.
Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka ardhur pasi dyshohet se këta oficerë policie nuk kanë përmbushur detyrat funksionale për ushtrimin e kontrollit të territorit në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Hetimet mbi këtë procedim penal janë shtritrë në një hark kohor disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe për Shpëtimin, duke telefonuar falas në numrin 08009090″- shkruhet në njoftimin e AMP-së.
Top Channel