KLP zgjedh sot 3 anëtarë të rinj/ Çela: Po kalojmë një periudhë të vështirë, kërcënimi i prokurorëve do marrë ndëshkimin e ligjit

13/10/2023 11:01

Mirëfunksionimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë përbën padyshim një nga elementët më të rëndësishëm të reformës në drejtësi.

Megjithatë, kryeprokurori Olsian Çela e ka konsideruar një periudhë të vështirë atë që po kalon organi i akuzës, për shkak të besimit të ulët të opinionit publik tek Prokuroria.

Gjatë fjalës hapëse në Asamblenë e Përgjithshme të Prokurorëve, ku do të zgjidhen 3 anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Çela tha se vendi ynë ka nevojë për magjistratë të ndershëm.

“Po kalojmë një periudhë të vështirë, të shoqëruar prej vitesh tashmë me një besim të ulët të opinionit publik tek ne.

Nuk duhet të lejojmë që disa fenomene negative, të njollosin dhe njëkohësisht të dobësojnë angazhimin tonë të përbashkët në shërbim të drejtësisë. Vendi ka nevojë për magjistratë të pavarur nga kushdo, që pikë referimi kanë kushtetutën dhe ligjin, dhe kanë kurajon dhe energjinë të përballen me sfidat e profesionit të vështirë që kanë zgjedhur.

Megjithë sa më sipër, ka edhe plot arsye pse ne duhet të ndihemi krenarë për atë që bëjmë çdo ditë në punën tonë. Dua të sjell në vëmendjen e gjithsecilit brenda apo jashtë kësaj salle se janë dhjetëra mijëra vepra penale që hetohen nga ju dhe janë po dhjetëra mijëra autorë që marrin ndëshkimin çdo vit në gjykata falë punës suaj. Shumë kriminelë të rrezikshëm kanë vuajtur apo ende vuajnë dënimet për krimet e kryera falë punës shumëvjeçare të qindra magjistratëve. Çdo çështje e zgjidhur, sado e vogël apo e parëndësishme në dukje, është në fakt një akt drejtësie i kryer për qytetarët e këtij vendi. Ne prokurorët, do të vazhdojmë të kërkojmë të bëjmë më të mirën, të palëkundur në angazhimin tonë për drejtësinë”- tha Çela.

I ndalur tek kërcënimet ndaj prokurorëve për shkak të detyrës, Çela tha se këto fakte të rënda duhet të marrin ndëshkimin e ligjit.

“Këto ditë kushdo ka ndjekur me shqetësim njoftimet për jetën e rrezikuar të dy kolegeve tona për shkak të detyrës. Ndërsa nga njëra anë këto fakte janë të rënda dhe duhet të marrin ndëshkimin sipas ligjit, nga ana tjetër duhet të na bëjnë më solidarë me njëri tjetrin e të kuptojmë se këto janë pengesa që mund t’i kapërcejmë vetëm duke qëndruar së bashku, përmes përkushtimit ndaj detyrës nga secili prej nesh. Vetëm ky qëndrim do të dekurajojë këdo që mendon se përmes kërcënimeve apo akteve të rënda të dhunës të drejtuara ndaj jetës së magjistratëve, mund të pengojë drejtësinë”- deklaroi Çela.

Policia e Shtetit ka marrë në ruajtje prokuroren e SPAK, Doloresa Musabelliu, pasi i penduari Artan Tafani rrëfeu se si kreu i grupit Laert Haxhiu, kishte planifikuar eliminimin e saj apo të një të afërmi. Prokurorja e dosjeve të forta në SPAK, më e fundit ajo e masakrës së urës Vajgurore ishte vënë në shënjestrën e të fortëve të Lushnjës, mbasi kërkoi burgim të përjetshëm për dy miqtë e Haxhiut, Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshin.

Burime shumë të sigurta i thanë Top Channel se nën ruajtje të posaçme është marrë dhe familja e prokurores Musabelliu, për të cilën mbrojtja iu kërkua policisë nga kreu i SPAK, Altin Dumani. Deri më tani nga kjo struktura e posaçme kundër krimit të organizuar janë kanë marrë në ruajtje të posaçme, dy gra gjyqtare dhe prokurorja Musabelliu.

Pasi prokurorja speciale u mor nën ruajtje familjarisht, kryeprokurori i SPAK kërkoi rishikim të masave të sigurisë dhe mbrojtje më të shtuar të godinës nga Garda e Republikës.

Asambleja e Përgjithshme e Prokurorëve voton për zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të KLP-së. Mandati u ka përfunduar Bujar Sheshit nga Apeli dhe 2 nga shkallët e para, Esmeralda Keshit e Eloida Goxhit. Kandidate për vakancën nga radhët e Apelit janë Afërdita Ndoi dhe Moisi Duda. Ndërsa për shkallet e para janë Edina Kurti, Durrës; Edlira Bako, Elbasan; Elsa Miha, Tiranë; Olger Minaj Korçë; Vatë Staka, Shkodër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA