Sjellje prej diktatori, e quajti analisti Spartak Ngjela fjalimin e kryeministrit Edi Rama sot në Kuvend për rezolutën e Kosovës.
Sipas Ngjelës, kryeministri nuk e kuptoj rëndësinë e opozitë në një shtet demokratik.
“Kjo nuk është natyrë e një kryeministri perëndimor. Është si komunistët liberal, mos të shkojmë deri te Enver Hoxha. Ai nuk e di ç’është opozita. Kam përshtypjen se nuk e di që demokracia është opozita. Hiqe me një dekret opozitës, s’ka nevojë më për opozitë (qesh). Kush do jemi, ne që po flasim në studio?
Ai bënte sikur kishte përpara armikun. Nuk është i pari kështu, kështu që kanë qenë të gjithë kryeministrat, e kanë pozicionuar opozitën si armike.
Duke parë sjelljen e tyre në këto 30 vite, arrita në konkluzionin që nuk ishte rastësi komunizmi shqiptar, që ishte aq ekstrem. Duhet të jetë defekt i koshiencës, sepse këta nuk e konceptojnë dot të kundërtën. Nuk është çështja vetëm në parlament. Edhe në një bisedë, po ta vësh re, sepse biseda është me të kundërtën. Nëse s’ka të kundërt, nuk ka bisedë”, u shpreh analisti në “Top Story”.
Kryeministri Rama mbajti sot në Kuvend një fjalë të gjatë, ku kritikoi draft rezolutën e propozuar, duke thënë se është një propagandë e opozitës kundër qeverisë. Sipas tij, asnjë parlament i vendeve të NATO-s apo të kandidate të BE-së nuk miratojnë rezoluta të tilla drejtuar botës.
“Jemi ftuar në mocion nisur me debat për draft rezolutën e depozituar në kuvendin e Shqipërisë që doli nga i njëjti oxhak i tymit patriotik, fill pas rezolutës së Kosovës, së vrasjes së Afrim Bunjakut, nga një grup kriminal serb që ushtroi terror në veri në Kosovës.
Kuvendi i Kosovës është jo vetëm në të drejtën dhe detyrën e tij të miratojë rezoluta të kësaj natyre, që u drejtohen për mbështetje politike fuqive aleate dhe organizmave ndërkombëtare ku Kosova nuk bën pjesë. Por Kuvendi i Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s, vend kandidat që negocion anëtarësimin në BE, vend që ka ulësen, ka të gjitha rrugët e komunikimit institucional me botën politike, ka ambasadorët e vetë në të gjithë organizma, kujt ia drejton një rezolutë si ajo që na u propozua”.
Top Channel