Nga parlamenti Shqipërisë gjatë diskutimit të rezolutës për Kosovën kryeministri Edi Rama i kërkoi Sali Berishës të ndalë tollovinë e të bërit politikë të brendshme me situatës në Kosovë për luftë të brendshme politike.

Rama: Draft-rezoluta të tilla të Kuvendit tonë shfaqen me shpejtësi të rrufeshme, si dru për oxhakun e propagandës kundër qeverisë,  herë si zgjatim i thonjve të krizës në veriun e Kosovës, herë si politikë ditore e llojit më të ulët me viktimat e Millosheviçit në Kosovë, madje deri në Bosnjë. Fatmirësisht e në të njëjtën kohë shumë fatkeqësisht për gjithë Shqipërinë, bota nga vijnë këto shkulma dëshpërimi politik ekstrem, i përket një planeti tjetër nga i yni, i cili e ka marrë botërisht së fundmi edhe emrin e vet të vërtetë:  Planeti NonGrata!

Sipas kryeministrit nuk ishte një vendim i lehtë mos-linjëzimi me politikën e jashtme të BE-së.

Rama: Dua ta bëj shumë të qartë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë, se një moslinjëzim me politikën e jashtme të BE-së, nuk është fjalë goje, për një vend kandidat që negocion anëtarësimin në BE dhe që përgatitet në javët e ardhsme të nisë me një prej pjesëve të negociatave që lidhet pikërisht me politikën e jashtme. Nuk është as një akt heroizimi natyrisht. Por ai mbetet një akt politik kundërshtie në dokumentet e marrëdhënieve tona me Brukselin. 

Nga parlamenti Shqipërisë kryeministri analizoi qëndrimet e Prishtinës dhe Beogradit.

Rama: Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithashtu, si edhe vetëviktimizimi diplomatik i Serbisë në ato sy, falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut, e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë, të cilën ne e kemi vazhduar në çdo instancë e rrethanë të mundshme.

Kryeministri foli edhe për marrdhëniet mes tij dhe kryeministrit të Kosovës.

Rama: Unë Albin Kurtin e kam mik më shumë se sa Ramush Haradinajn, me të cilin në një segment të caktuar të këtij rrugëtimi jam gjendur në një konflikt personal, kur ai ishte kryeministër.  Ndërsa me Albinin s’kam pasur kurrë asnjë problem personal, madje në nivelin personal e kam kënaqësi çdo bisedë me të.  Por, me kryeministrin aktual të Kosovës kam divergjenca botëkuptimore, mbi mënyrën se si arrihet tek qëllimi i përbashkët kombëtar. Prandaj marrëdhënia miqësore, nuk ka më ka penguar me të tjerë më parë dhe nuk ka se si më pengon sot, as që t’i kem dhe as që t’i shpreh divergjencat e lidhura pazgjidhshmërisht me detyrën time si kryeministër i Shqipërisë, jo me mua personalisht. 

Nga Tirana Edi Rama kishte edhe një mesazh për ish kryeministrin Haradinaj.

Rama: Ramush Haradinaj, si çdo komandant tjetër që ka parë gjakun në fytyrën e shokëve të vrarë nga plumbat e Serbisë fashiste dhe si çdo luftëtar që ka fituar luftën me armë të vërteta, duke varrosur vëllezër e shokë lufte të vrarë e duke rrezikuar ta marrë edhe vetë plumbin e armikut në ballë, e nuk ka luftë imagjinare për të bërë, duke hapur varre digjitale në Facebook për ata që mendojnë ndryshe, pa rrezikuar asgjë, i fshehur pas profileve fallco, nuk ka sesi ta ketë problem të trokasë gotat me deputetë serbë të Kosovës në një koktej krejt të zakonshëm, madje në praninë e mediave mesa pashë – se mund të ishte edhe në një mjedis privat dhe prapë do të ishte e neveritshme, po të sulmohej për diçka të tillë me këto mjete kineze të kohës së Mao Ce Dunit, duke u futur në rreth si tradhtar i kombit.   

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA