Nga arratia, ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj përmes avokatëve të tij i është drejtuar me një kërkesë SPAK, duke kërkuar aktet dhe provat me të cilat i është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës.
Në dosjen ‘2’ ish-zyrtari i lartë nuk është tradhtuar vetëm nga firma që ka hedhur në 24 korrik 2014 si ministër i Financave të asaj kohe duke urdhëruar privatizimin përmes shitjes me ankand të paketës së aksioneve shtetërore në masën 45 për qind të shoqërisë Buka.
SPAK thekson në fashikullin që Top Channel disponon, se ka përftuar edhe komunikime në WhatsApp, që provojnë se Arben Ahmetaj ka favorizuar një biznesmen, duke i sjellë përftime materiale për shitjen e aksioneve. Kjo provohet me procesverbalin e kqyrjes së telefonit, shton prokurori Elvin Gokaj.
Prokurori i SPAK thotë se ka provuar që Arben Ahmetaj njihej me biznesmenin dhe këtë marrëdhënie e ekspozon një komunikim i ruajtur në telefon në vitin 2019-të më tej një mesazh tjetër që i është dërguar ish-ministrit në vitin 2020.
Komunikimet sipas SPAK vërtetohen edhe nga përgjimet dhe tabulatet, që konsiderohen në këtë hetim si veprime me dashje për të arritur qëllimin duke akuzuar me privatizimin në dëm të trashëgimtarëve të familjes Myderizi.
Në këtë hetim të dytë, SPAK i ka vendosur Arben Ahmetajt avokat, që do të thotë falas nga shteti, i cili ka asistuar gjatë kqyrjes dhe marrjes së provave.
Kur SPAK kujton në mbyllje të hetimeve se Ahmetaj është një i shpallur në kërkim dhe me masë arrest me burg në mungesë, ish-funksionari ka reaguar në “Facebook” për hetimin e “Bukës” jo vetëm duke u shfajësuar. Por edhe duke sjellë vargjet e kënduara dikur nga Edi Rama “Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiranë”, shkruan Arben Ahmetaj.
Top Channel