Kombëtarja shqiptare mbylli sot përgatitjet në stadiumin ‘Air Albania’ për sfidën e rëndësishme ndaj Çekisë.
Takim i vlefshëm për kualifikueset e Kampionatit Europian Gjermani 2024.
Pas konferencës zyrtare për shtypin, ku u shfaqën trajneri Sylvinho dhe kapiteni Gjimshiti, ekipi doli në fushë dhe u stërvit për rreth një orë. Përveç Armando Brojës, e gjithë skuadra u stërvit së bashku, teksa grupit iu bashkua edhe mesfushori Klaus Gjasula.
Stërvitja e ditës së sotme nuk ka pasur shumë ngarkesa fizike, me stafin teknik që e fokusoi më shumë seancën në ushtrimet me topin dhe situata të ndryshme loje.
Sa i përket gjendjes së Armando Brojës, stafi mjekësor ka dalë në përfundimin se sulmuesi nuk mund të jetë i gatshëm për takimin e nesërm ndaj Çekisë pas një shqetësimi fizik.
Shqipëria do të luajë nesër ndaj Çekisë në stadiumin ‘Air Albania’, me takimin që është programuar të nisë në ora 20:45. Sfida do të transmetohet live në SuperSport 2.
Top Channel