Djegia e tokës torfike në bashkinë e Maliqit e nisur prej muajit korrik vazhdon të shkaktojë një situatë alarmante të ndotjes mjedisore çka i ka detyruar banorët e fshatit Sheqeras të protestojnë për shkak se situata e shkaktuar po e bën fshatin të pajetueshëm.
Gjatë gjithë ditës tymi dhe era e blozës që çlirohet nga djegia e torfës mbulojnë fshatin ndërsa banorët tregojnë se janë të shqetësuar për pasojat shëndetësore që mund t’ju vijnë nga kjo gjendje.
“Do vijë një ditë që nuk do të ketë fëmijë pa probleme në mushkëri”, tha një banor.
“Nuk hapim dot penxheret në klasë”, shtoi një nxënës.
Ata thonë se gjithçka ka nisur nga djegia e disa tokave të mara me qira pas korrjes së grurit dhe tani situata është jashtë kontrollit. Lidhur me shqetësimin e banorëve kryetari i bashkisë së Maliqit Gëzim Topçiu sqaron se pavarësisht ndërhyrjeve për shuarjen e zjarrit, mungesa e rezervave ujore e ka bërë të vështirë situatën dhe zgjidhje mbeten vetëm reshjet.
“Është një situatë jo e lehtë që ka nisur prej kohësh me zjarrvëniet që persona të papërgjejshëm bëjnë nga Podgoria e deri në drejtim të Vreshtasit. Ne jemi munduar me mjetet tona me zjarrfikëse dhe mjetet e Bordit të kullimit të hapim kanale por ende era që fryn e lëviz në zona të ndryshme jo vetëm të Sheqerasit por edhe përreth”, tha kryetari Gëzim Topçiu.
“Periudha të cilën flasim janë bosh të gjitha basenet ujore edhe kolektorët kryesorë janë bosh dhe me mjetet tona nuk po japim dot zgjidhje. Është një situatë e vështirë të cilën ne po mundohemi ta menaxhojmë me sa kemi mundësi, të shpresojmë që reshjet e shiut të jenë shpejt dhe ta eleminojnë këtë situatë”, shtoi ai.
Në fund të muajit korrik një sipërfaqe e konsiderueshme e mbjellë me grurë u përfshi nga flakët por edhe pse zjarrvënia dyshohet se ishte e qëllimshme policia nuk ka arritur të identifikojë dhe procedojë asnjë person përgjegjës.
Top Channel