Elbasani startoi këtë të diel për herë të parë minimaratonën “Skampa 2023
Rreth 1500 pjesëmarrës nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës vrapojnë në disiplinat 5, 10 dhe 21 km. Aktiviteti ka pasur një interes dhe rëndësi të veçantë për vrapuesit profesionistë.
“Unë jam Gazmend Shehu, vij nga qyteti i Beratit, jam maratonist i vjetër dhe jam shumë i lumtur që edhe Elbasani filloi rrugëtimin e maratonave. Për mua këto aktivitete janë vetë jeta. Pjesëmarrja si për herë të parë është e jashtëzakonshme”, tha një vrapues.
“Para 50 vitesh kam hipur në podium në këtë shesh dhe pas 50 vitesh përsëri garoj. Kam qenë sportist i Labinotit, sot përfaqësoj Sopotin e Librazhdit. Sa më shumë të marrin pjesë njerëzit në të tilla aktivitete, kanë jetëgjatësi, larg nga veset e këqija, larg nga veset e këqija”, tha një vrapues tjetër.
“Aktivitete të tilla i shërbejnë komunitetit pa dallim moshe që të ndihen të shëndetshëm. Sot jemi shumë të gëzuar sepse kemi arritur të organizojmë për herë të parë maratonën e Elbasanit dhe e certifikuar ndërkombëtarësh”, tha një tjetër vrapues.
Por ndërkohë maratona shërbeu për të përcjellë mesazhe të rëndësishme sensibilizuese si lufta kundër kancerit të gjirit, të drejtat e fëmijëve etj.
“Ne vrapojmë për mirëqenien tonë dhe u sjellim të gjithëve pozitivitet. Sot është edhe ditë pa makina dhe aktiviteti është shumë i bukur. Kanë një mesazh të gjithë këto aktivitete. Mesazhe për të drejtat tona, për të drejtat e fëmijëve dhe sidomos për kancerin e gjirit që është muajit tetor”, tha një fëmijë.
Aktiviteti pritet të kthehet në traditë për qytetin e Elbasanit, një traditë e cila përpos anës sportive pritet ti shërbejë turizmit dhe ekonomisë.
“Është një maratonë që qyteti e ka mirëpritur. Ka javë që bëhet gati. Ka pasur mbi 1500 të regjistruar, kanë ardhur nga shumë vende të botës, jo vetëm nga Ballkani, por edhe nga Polonia, Ukraina dhe Elbasani ka qenë plot në të gjithë hoteleritë, ka qenë overbooked”, tha kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llataj.
Në minimaratonën Skampa 2023 morën pjesë vrapues nga 16 vende të botës si Anglia, Austria, SHBA, Sllovenia, Ukraina, Gjermania, Serbia etj.
Top Channel