“Shkuam nga 2 në mbi 12 milionë turistë”, Rama nga edicioni i parë i “Future Hospitality Forum 2026”: Detyra jonë tani është të rrisim urgjentisht cilësinë e turizmit

02/10/2026 10:39

Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në edicionin e parë të “Future Hospitality Forum 2026”, ku foli për progresin e Shqipërisë në fushën e turizmit.

Gjatë fjalimit të tij kreu i qeverisë tha së edhe pse rritja e shifra vjetore e turistë në vend ka shkuar nga 2 në 12 milionë në 5 vitet e fundit, tashmë ‘detyra jonë është të rrisim urgjentisht cilësinë e turizmit”

“E paimagjinueshme që pesë vite më parë, ishte vërtet një moment shumë i vështirë kur na u desh të përballeshim me faktin se sa shumë kishim mbetur prapa krahasuar me pjesën tjetër të botës, me vendet fqinje dhe me aktorët e mëdhenj të kësaj industrie në kontinentin tonë.

Nuk kishte asnjë hotel me pesë yje. Madje, jo vetëm që nuk kishte hotele me pesë yje në vend, por as nuk kishte ndonjë perspektivë që një i tillë të hapej në të ardhmen e afërt.

Përpjekjet për t’iu afruar standardeve të përsosmërisë së industrisë ishin gjithmonë një proces i sikletshëm, sepse përfaqësuesit e saj silleshin me mirësjellje vetëm formalisht, por më pas na refuzonin, duke thënë se ende nuk i kishim arritur standardet e nevojshme dhe se nuk kishin asnjë plan për ta shqyrtuar vendin tonë si destinacion.

Kështu, vendi ynë ishte vërtet një pikë e zezë në hartën e industrisë së turizmit në Evropë. Madje, ajo që ne konsideronim si numër turistësh dhe statistikat mbi të cilat mbështeteshim, në të vërtetë përfaqësonin numrin e pasagjerëve që hynin dhe dilnin nga vendi, duke përfshirë edhe vetë ne.

Çdo person që largohej nga vendi për të kryer një punë, për të takuar familjarët jashtë shtetit apo për të kaluar pushimet, sapo regjistrohej sërish në sportelin e check-in-it në aeroportin tonë, llogaritej si turist.

Edhe pse këto shifra ishin të fryra, ato nuk arrinin më shumë se 2 milionë, ndërsa sot kemi kaluar shifrën e 12 milionë turistëve.

Tashmë ndodhemi në një moment kur, në vend që të gëzohemi për rritjen e kërkesës, jemi të shqetësuar për nevojën urgjente për të rritur cilësinë. Kjo sepse nuk mund ta shohim më vetëm anën e medaljes që sot shkëlqen, por që nesër mund të shkëlqejë aq shumë, sa të na verbojë dhe të rrezikojë të ardhmen e vendit.

Të gjithë e dimë se shifrat e larta të vizitorëve me të ardhura mesatare dhe të ulëta ushtrojnë presion të madh mbi infrastrukturën, shërbimet, mjedisin dhe, gjithashtu, mbi vetë njerëzit tanë.

Sigurisht, ne e dimë se nuk ekzistojnë mekanizma për të parandaluar ardhjen e më shumë njerëzve, por, në të njëjtën kohë, jemi plotësisht të vetëdijshëm se duhet të krijojmë më shumë hapësirë dhe kushte që turizmi i ekselencës, i cilësisë së lartë, të vijë në vendin tonë dhe të shndërrohet në një forcë më vete”, tha kryeministri Rama.

Top Channel