Zhvillohet për të katërtin vit radhazi “Festa e Verës” në Farkë, Veliaj: Marketingun më të mirë të produkteve “Made in Albania” e bëjmë ne vetë

06/10/2023 19:17

Për të katërtin vit radhazi në Farkë, u zhvillua “Festa e Verës”, një festë lokale që promovon traditën e pasur të bërjes së verës, shijimit të saj dhe nxitjen e turizmit në qytetin e Tiranës.

Kjo festë mblodhi bashkë një numër të madh kantinash vere dhe restorantesh, të cilat promovuan produktet e tyre, si dhe kulturën e prodhimit të verës lokale.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili iu bashkua festës, tha se asgjë më mirë se promovimi i produkteve vendase nuk e rrit ekonominë lokale.

Është shumë e vështirë të flasësh mirë për dikë që punon. Por, këta njerëz që punojnë këtu janë tanët, ky rrush është i yni, vera që pihet është e jona, shqiptare. Taksat që paguhen, ndihmojnë ekonominë tonë. Nëse arrijmë të kuptojmë se përtej partive, ne jemi pjesë e një ekosistemi, ku duke folur mirë për veten nxisim shitjet e këtyre produkteve, atëherë vërtet kemi kuptuar formulën e suksesit. Kjo do të thotë se shteti, bashkia, privati, shoqëria civile, aktivistët, agjentët e marketingut, janë të sintonizuar për të luajtur të njëjtën muzikë, që është muzika e bukur, e mirë, e asaj që quhet ‘Made in Albania’, ‘Made in Tirana’”, u shpreh Veliaj.

Duke vlerësuar dhe shprehur mirënjohje ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuuar në ngritjen e brandit të markës shqiptare të verës, kryebashkiaku i Tiranës ftoi qytetarët të konsumojnë sa më shumë prodhime vendase, si e vetmja mënyrë për të mbështetur fermerët.

Vera dhe vreshti është një dashuri, është një pasion, por është edhe një mision. Është vërtet përkushtim i një jete. Kështu që, kur ti blen një shishe verë, ti nuk ke blerë thjesht një pije, ti ke blerë koncentratin e një jete plot pasion, plot sakrifica, kryesisht biznese familjare, jo industriale, jo marka të mëdha. Ke blerë një copë të jetës dhe dedikimit të të gjithë këtyre banorëve dhe gjithë atyre që punojnë me sakrificë”, u shpreh më tej ai.

Festa e Verës i shërben jo vetëm promovimit të traditës së përgatitjes dhe degustimit të verës së prodhuar në rrethinat e kryeqytetit, por edhe nxitjes së turizmit të qëndrueshëm në kryeqytet, si motor i zhvillimit të ekonomisë lokale dhe burim të ardhurash.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA